Surroi: Kosova është e kapur nga një grup leninist

24 shtator 2018 19:10

Publicisti Veton Surroi e sheh shtetin e Kosovës të kapur nga një grup leninist.

Surroi në debatin me temën “Librat digjen por idetë jo”, është shprehur se ky grup njerëzish e toleron mendimin e lirë, derisa ai mendim të mos e rrezikojë atë dhe derisa nuk futet në rrjedhën e vendimmarrjes.

Publicisti Surroi duke folur për sfidat e mendimit të lirë në demokracinë e brishtë në Kosovë, ka thënë se akti i djegies së librit është akt dhune, raporton KTV.

Ai ka theksuar se rrezikues të vendit shihen ata intelektualë, të cilët shkruajnë dhe shprehin mendimin e lirë, që pushtetit nuk i pëlqen dhe, sipas tij, pushteti i dënon kur mendimi i tyre e vë në rrezik atë.

Duke folur për censurën, Surroi e kritikoi televizionin publik, ku sipas tij, mosprania e këtij mediumi në këtë debat tregon se sa është i kapur dhe i varur nga shteti.

Ndër të tjera ai përmendi edhe shfaqjen e një drame, e cila iu pamundësua nga Teatri Kombëtar.

Romani i Surroit, “Këmbët e Gjarprit” kopjet e të cilit ishin shitur në kohë rekorde, ishte djegur në vitin 2014 nga një grup qytetarësh në Skenderaj dhe Ferizaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme