Arbëri

PSD-ja përsërit që Kuvendi duhet të udhëheqë dialogun, e jo Thaçi

Partia Socialdemokrate ka shprehur sërish se është e domosdoshme që në vend të ketë konsensus për dialogun Kosovë – Serbi.

Këtë, krerët e kësaj partie e thanë në një takim me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi. Kjo parti ka thënë se bartës i dialogut duhet të jetë Kuvendi dhe jo presidenti apo ekipi negociues i qeverisë.

“Në takim u diskutua për gjendjen politike në Republikën e Kosovës, të fokusuar mbi procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Duke falënderuar shtetin italian për kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate theksuan domosdoshmërinë për konsensus rreth dialogut. Me këtë rast u rishpreh qëndrimi i PSD-së, se bartës i procesit të dialogut me Serbinë duhet të jetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, e jo Presidenti Thaçi dhe ekipi negociues i Qeverisë së Kosovës të cilët nuk kanë legjitimitet për të negociuar”, thuhet në një njoftim të PSD-së.

PSD-ja ka shprehur nevojën për hartimin e Platformës Shtetërore të Dialogut dhe miratimin e saj përmes shumicës së kualifikuar në Kuvend, si parakusht për themelimin e ekipit gjithëpërfshirës negociues.