Baza e NATO-s në Kuçovë, dëshmi e rolit të Shqipërisë në rajon

Baza e NATO-s në Kuçovë, dëshmi e rolit të Shqipërisë në rajon

24 shtator 2018 13:30

Krijimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, si e vetmja bazë e Aleancës në Ballkanin Perëndimor, dëshmon seriozitetin dhe rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti për paqen dhe sigurinë në rajon.

Kështu deklaroi sot, Ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila vlerësoi stërvitjen shumëpalëshe Albanian Lion 2018, ndërsa theksoi rolin e Shqipërisë në Aleancë.

“Ne do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona ndaj NATO-s, ku Shqipëria mbetet vend me kontribute të qenësishme. Ne mbështesim të gjitha iniciativat e Aleancës dhe tashmë pas 9 vitesh anëtarësim në NATO, vendi ynë është transformuar në një vend që po kontribuon në Aleancë”, shtoi Xhaçka.

Modernizimi i bazës së Kuçovës, sipas saj, është konfirmim i rolit dhe përgjegjësisë që dëshmon Shqipëria për sigurinë në rajon. “Kuçova nuk është zgjedhje rastësore, por vjen pas seriozitet dhe rolit të shqiptarëve si faktor stabiliteti për paqen në rajon”, tha Ministrja.

Xhaçka përshëndeti 1200 ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje, të cilët janë nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Sllovenia.

“Kjo stërvitje e përbashkët shumëkombëshe bëri bashkë 1200 trupa dhe dhjetëra mjete. Për herë të parë në këtë stërvitje ishte edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po ngrihet dhe po tregon dita-ditës seriozitet. Zhvillimi i kësaj stërvitje tregon aftësitë ndërvepruese dhe kohezionin ndërmjet Forcave tona të Armatosura dhe aleatëve për rritjen e sigurisë së jetës”, tha Xhaçka, transmeton atsh.

Ajo nënvizoi ambicien që, vitin tjetër Shqipëria të 5-fishojë pjesëmarrjen në Albanian Lion. “Pjesëmarrja në operacione dhe stërvitje të tilla i ka rritur profesionalisht FA-të, të cilët po dëshmohen gjithnjë e më dinjitozë në krah të aleatëve”, tha ministrja.

Zhvillimi dhe modernizimi i vazhdueshëm i FA-së në përshtatje me kërkesat e NATO-s, sipas Ministres, mbetet prioritet i punës së dikasterit të Mbrojtjes.

“Kjo stërvitje sot i paraprin një tjetër eventi shumë të rëndësishëm për ne. Pas shumë vitesh, ekspertë të NATO-s do të certifikojnë grup-batalionin tonë të parë me 1600 ushtarakë, që për herë të parë certifikohen si të stërvitur, të mirëpajisur dhe të ndërveprueshëm në standardin më të mirë të NATO-s, për të qenë kudo ku Aleanca do të ketë nevojë”, tha Ministrja Xhaçka.

Trupat tanë paqeruajtës, vijoi Ministrja, na kanë bërë krenarë kudo ku kanë shërbyer nga anijet tona Oriku, Lisus e deri tek ushtarakët tanë në Afganistan.

Po ashtu, Ministrja Xhaçka nënvizoi angazhimin e FA-së në emergjencat civile. “FA janë të angazhuar fuqimisht dhe po mbajnë peshën kryesore edhe për emergjencat civile në vend. Kemi përballuar në shumë pak kohë përmbytjet e njëpasnjëshme dhe zjarret që nuk dolën kurrë jashtë kontrollit këtë sezon veror”, shtoi Xhaçka.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme