Braktisja e fëmijëve në Kosovë mbetet shqetësim, këtë vit janë identifikuar 13 raste

23 shtator 2018 19:10

Për më shumë se një vit, asnjë fëmijë nuk është raportuar i braktisur në komunën e Prishtinës.

Për këtë, drejtues të Qendrës për Punë Sociale në kryeqytet thonë se janë të lumtur dhe se kjo është shenjë e mirë që qytetarët e vendit po vetëdijesohen, raporton KTV.

Sipas Vebi Mujkut, drejtor i Qendrës për Punë Sociale për dallim nga ky vit, në atë paraprak 12 fëmijë janë braktisur nga familjet e tyre.

Por, në nivel vendi, janë 13 raste që fëmijët janë braktisur nga prindërit e tyre gjatë vitit 2018.

Edhe pse ky numër është më i ulët në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shifrat janë shqetësuese.

Kështu është shprehur sociologu Valter Nasufi, i cili thotë se ekzistojnë mënyra të shumta që ndikojnë në vetëdijesimin e shoqërisë.

“Gjykoj se duhet të bëhen si fillim fushata vetëdijesuese si nga organet kompetente shtetërore, ashtu edhe nga shoqëria civile, apo shoqata të ndryshme që kanë për qëllim mbrojtjen e fëmijëve. Në këtë mënyrë, prindërit do të kuptojnë që braktisja e fëmijës është një akt i rëndë dhe pasojat janë të mëdha si për vetë fëmijën, familjen dhe shoqërinë mbarë. Edhe media gjithashtu duhet të luajë rolin e saj në vetëdijesimin prindëror në veçanti dhe shoqëror në përgjithësi”, ka thënë Nasufi.

Shtatzënia e padëshiruar, mospërkrahja e familjes, mungesa e të ardhurave financiare dhe e banimit janë disa prej arsyeve që shtyjnë nënat e reja t’i braktisin fëmijët.

Kështu thonë zyrtarë nga SOS fshatrat, të cilët janë shprehur se kanë pranuar 4 fëmijë të braktisur përgjatë vitit 2018.

Ata thonë se aktualisht po përkujdesen për 59 fëmijë, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për t’ua mundësuar një jetë më të mirë dhe më të sigurt.

Edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se ata ofrojnë disa alternativa për t’u kujdesur për fëmijët e braktisur, si dhe në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale u ofrojnë siguri këtyre fëmijëve.

SOS Fshatrat nga themelimi i tyre kanë ofruar përkujdesje për më shumë se 500 fëmijë të braktisur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme