Arbëri

VV: Mitrovica duhet t’i prijë protestës së 29 shtatorit, presidenti po e vë shtetin në tezgë pazari

Mitrovica është qyteti ku nisi turi i tubimeve mobilizuese për protestën e së shtunës me 29 shtator prej orës 14:00. Në këtë tubim folën kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, nënkryetarja dhe deputetja e Lëvizjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, deputetja dhe anëtarja e Kryesisë Albulena Haxhiu dhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës dhe nryetari i Qendrës së Lëvizjes në Mitrovicë, Faruk Mujka, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

VV thotë se në Mitrovicë mbi 2,000 familje jetojnë në varfëri të skajshme dhe rreth 30% e banorëve jetojnë në varfëri. Për më keq, në Veri të Mitrovicës nuk paguhen as rryma dhe as taksa. Të gjitha kostot e tyre janë të detyruar t’i paguajnë qytetarët e varfër të Kosovës, transmeton Koha.net.

“Por Mitrovica po del të jetë vizioni politiko-ekonomik që qeveria dhe presidenti e kanë për të gjithë Kosovën. Ndarje etnike, avancim i Serbisë brenda Kosovës, tepri investimesh serbe, mungesë totale e investimeve të qeverisë tonë, niveli më i madh i papunësisë në vend dhe gratë të mbyllura në sferën private; kjo është alternativa e këtyre qeverive dhe e këtij presidenti. Jo rastësisht, Thaçi del sot dhe propozon një ide si ndarja e saj. Pra, Mitrovica është vendi që duhet t’i prijë protestës së 29 shtatorit”, thuhet në komunikatë.

Mw tutje VV shton se, “presidenti po na e vë shtetin në tezgë pazari. Nga njëra anë na kërcënon me ‘kompromise të dhimbshme’ e nga ana tjetër u premton bashkimin Kosovës lindore. Ai nuk i raporton Kuvendit, ka hequr dorë prej popullit dhe po do ta dorëzojë Kosovën. Andaj, kur institucionet janë të bllokuara, shteti i kapur, ndërkohë pakënaqësia e madhe, zëri duhet të dalë në shesh. Protesta është institucion”.

“Mitrovica i ka dhënë shumë histori, shkencë, kulturë e zhvillim Kosovës, mirëpo pas çlirimit ajo ka marrë aq shumë ndarje e aq shumë varfëri. Mitrovica këtë nuk ja ka pasur borxh askujt, prandaj politika i ka aq shumë borxh Mitrovicës”, tha Albin Kurti.

Të shtunën, me 29 shtator, në Prishtinë, te Biblioteka Kombëtare e Universitare të mblidhemi paqësisht dhe masivisht për të treguar se populli i Kosovës nuk i ka rënë pishman pavarësisë sikur presidenti Thaçi, i cili është diskredituar e delegjitimuar si asnjëherë më parë.