Arbëri

Iniciativa e Thaçit has në kundërshti të forta, përfshirë edhe nga kryeministri

Pavarësisht që Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar rolin e presidentit më shumë si ceremonial, i pari i shtetit përmes Gjykatës kushtetuese, po mundohet ta fuqizojë vetveten.

Ai me çdo kusht, po tenton ta anashkalojë Kuvendin, rreth një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë, raporton KTV.

Por, shefi i qeverisë Ramush Haradinaj, ka thënë se askush nuk guxon të vërë në pikëpyetje funksionet e parlamentit.

Ai ka thënë se fjala e parlamentit dhe fjala e popullit janë përfundimtare.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e qartë se për ta jetësuar idenë e tij të rrezikshme, Hashim Thaçi, po mundohet të përdorë secilin institucion e ta keqpërdorë secilën mundësi.

Ajo ka thënë se Thaçi nuk e ka ndërmend të ndalet, nëse opozita e populli qëndrojnë të heshtur, prandaj sipas saj, po përforcohet arsyeja e protestës më 29 shtator.

Por, analisti Ehat Miftaraj thotë se kjo kërkesë e presidentit më shumë lidhet me Gjykatën Speciale.

Presidenti Hashim Thaçi, ka dërguar kërkesë për interpretim në Gjykatën kushtetuese nëse duhet të ratifikohen letrat e shkëmbyera me Federica Mogherinin rreth mandatit të EULEX-it, si marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave të deputetëve apo mund të konsiderohen si të ratifikuara, pas nënshkrimit nga presidenti, për shkak të ndërrimit të rolit të EULEX-it nga ai ekzekutiv, në rol monitorues e këshillëdhënës.