Afër 80 për qind e qytetarëve në Shqipëri janë kundër korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi

Afër 80 për qind e qytetarëve në Shqipëri janë kundër korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi

21 shtator 2018 15:29

Një sondazh në Shqipëri këtë herë është bërë për propozimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandar Vuçiq, për shkëmbim territoresh.

Sipas sondazhit të CSES-së në Shqipëri, që u realizua online në datat 13 – 20 shtator 2018, 77 për qind del të jenë kundër kësaj ideje, transmeton Koha.net.

Nga 5.619 nënshtetasit madhorë të Republikës së Shqipërisë që kanë dhënë përgjigje, banorë të fshatrave dhe qytetet nga të gjitha bashkitë (Tiranë 39%, Durrës 7%, Elbasan 5.5%, Shkodër 5.4%, Vlorë 4.2%, Fier 3.9%, Korçë 3.3%, etj), 92.3% shprehen se kohët e fundit kanë dëgjuar për propozimet e Thaçit dhe Vuçiqit, për korrigjimin e kufijve/shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që 7.7% shprehen se nuk kanë dëgjuar rreth këtyre propozimeve.

Mes qytetarëve të Shqipërisë që kanë dëgjuar për propozimet e Presidentit të Kosovës dhe Serbisë, të cilët kanë formësuar një qëndrim për këtë çështje dhe pranojnë të përgjigjen, 77% pozicionohen kundër këtyre propozimeve ndërkohë që 23% i mbështesin ato.

“Vihet re që të rinjtë shfaqin prirje më të lartë për të kundërshtuar këto propozime (18 - 35 vjeç, 80% kundër) krahasuar me më të moshuarit (56+ vjeç, 72% kundër). Gjithashtu vihet re se femrat shfaqin prirje më të lartë kundërshtuese ndaj këtyre propozimeve (80% kundër) krahasuar me meshkujt (76% kundër)”, thuhet në sondazhin e CSES-ë.

CSES, është një program bashkëpunues i hulumtimit midis ekipeve të studimit zgjedhor nga e gjithë bota. Vendet pjesëmarrëse përfshijnë një modul të përbashkët të pyetjeve.

Kohët e fundit, në Kosovë, ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh po cilësohet si antikushtetuese. E ky i fundit, ka nisur një iniciativë me synimin për të anashkaluar Kuvendin e Kosovës rreth një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme