Arbëri

Shqipëria e Maqedoni hedhin hapat e para për ndërlidhjen me rrjet gazi

Në pritje të fillimit të punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Manastir, Shqipëria dhe Maqedonia ndërmarrin hapat e para edhe për lidhjen e tyre me rrjet gazi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri priti sot ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi.

Pas takimit, në praninë e dy ministrave, drejtori i kompanisë shtetërore shqiptare të gazit Albgaz, Arbër Avrami, dhe ai i Agjencisë së Burimeve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepi, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për koordinimin e përpjekjeve në kuadër të projektit të interkonjeksionit të rrjeteve të gazit natyror mes dy vendeve.

Ministri Gjiknuri tha se dy vendet tanimë e kanë drejt fazave finale procesin e tenderimit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV dhe në këtë shembull duhet ecur edhe me gazin.

“Ky nënshkrim i sotëm mes dy kompanive tona të gazit, është jashtëzakonisht i nevojshëm. Ne kemi mundësi që me këtë projekt të përbashkët që sapo nisim dhe me këtë bashkëpunim të mund të aplikojmë edhe në Bashkimin Evropian për mbështetje financiare pasi është një agjendë që përputhet plotësisht qoftë me procesin e Berlinit apo agjendën e konektivitetit rajonal. Jam i bindur se lidhja me gazsjellës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të jetë me shumë rëndësi për të dyja vendet. Do të jetë një projekt shumë fizibël sepse janë shumë afër, pra pika e daljes afër Bilishtit apo Korçës do të jetë shumë afër me kufirin e Maqedonisë, çka bën që projekti të ketë një kosto më të ulët por dhe përfitimet të jenë të mëdha”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Memorandumi i firmosur mes Albgaz dhe Mer JSC Skopje parashikon themelimin e një grupi pune të përbashkët të gazit; vlerësimin dhe hartimin e projekt idesë për linjën e interkonjeksionit ndërmjet dy vendeve si dhe përcaktimin e parametrave teknik; harmonizimin e studimeve të të dyja vendeve përkatëse; përgatitjen e një dokumenti final ku të bëhet prezantimi i korridorit si një i vetëm dhe aplikimi në Sekretariatin e Energjisë për të vendosur projektin në listën PMI dhe PECI.