Arbëri

Deputeti i PDK-së kundër që presidenti ta anashkalojë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë

Foto: Koha / Arkiv

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se ende nuk ka marrë letrën nga Gjykata Kushtetuese, e cila kërkoi nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli, që ta shpërndajë te deputetët një kërkesë të presidentit Hashim Thaçi.

Ky i fundit ka pyetur Kushtetuesen, nëse ka të drejtë që i vetëm, pa miratimin e 2/3-ave të deputetëve të vendosë për marrëveshje ndërkombëtare.

“Nuk ka diçka të tillë ende në adresën time”, ka thënë Haxhiu, derisa përgjigjen që ia ka kërkuar Kushtetuesja përmes Kuvendit, e ka thënë në Interaktiv të KTV-së.

“Për tri mandate të mia si deputetë, ajo që njoh dhe ajo që është praktikë e deritanishme, çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të miratohet me 2/3 e votave të deputetëve. Kështu ka qenë deri tash dhe personalisht mendoj se kështu duhet të mbetet”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Unë e bëra publik qëndrimin tim dhe do t’i qëndrojë besnik këtij qëndrimi”, ka shtuar ai.

Po kur ka folur për idenë e presidentit Thaçi për ka pyetur se “cili është ai shqiptar që nuk do të dëshironte që edhe Luginën edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, edhe Çamërinë edhe gjithë trojet shqiptare të bashkohen”.

“Por krejt çka po flasim janë dëshira. Programi i partisë është tjetër gjë”, ka thënë ai.

Vetëvendosje po proteston kundër asaj që e kanë në program

I njohur me nofkën Kamishi, deputeti i PDK-së ka komentuar edhe protestën e thirrur për të shtunën e 29 shtatorit nga Vetëvendosja.

“Protestë kundër bashkimit kombëtar. Në program e kanë bashkimin kombëtar e kanë thirrur protestë kundër bashkimit kombëtar. Po protestojnë kundër dëshirës së tyre”, ka thënë Haxhiu. “A kundër Vuçiqit nuk bën me protestu ata”, ka thënë më tej ai.

Haxhiu ka folur edhe për protestën kundër Vuçiqit në Drenicë.

“Ishte kërkesë e familjeve të të zhdukurve dhe shoqatave të dala nga lufta që të dilnin kundër vizitës së Vuçiqit në Drenicë, pa kërkuar falje. Qytetarët u mobilizuan e ne ishim përkrah tyre, bashkë me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari. Për ironi, nga institucionet tona, kryetari i Komunës nuk u lajmërua zyrtarisht për vizitën e Vuçiqit në këtë komunë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, kushdo që ka lejuar që Vuçiqi të vizitojë Drenicën pa e respektuar vullnetin e qytetarëve të Drenicës ka gabuar rëndë, teksa ka aluduar në ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Por Haxhiu, nuk ka komentuar deklaratat e presidentit Thaçi, që tha se ata që kanë protestuar kundër Vuçiqit nuk treguan minimumin e kulturës.

“Është protestë më se e qëlluar që nuk lejohet Vuçiqi të kalojë në Drenicë. Kushdo që ka dalë kundër kësaj proteste sigurisht se e ka gabim”, ka thënë ai.

Qytetarët nuk kishin dalë t’i thoshin Vuçiqit: Të lutem mos kalo këndej

Haxhiu ka thënë se protesta kishte rrezik për eskalim.

“Protesta do të eskalonte nëse eskorta do të provonte të hynte në Skenderaj. Qytetarët nuk kishin dalë t’i thoshin Vuçiqit: Të lutem mos kalo këndej. Kishin dalë aty për të protestuar”, ka thënë ai.