Prezantohet strategjia e re nacionale për rini 2018-2022

Prezantohet strategjia e re nacionale për rini 2018-2022

20 shtator 2018 11:12

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka prezantuar politikat e ministrisë që ai udhëheq për sigurinë njerëzore të të rinjve në Kosovë.

Në konferencën e mbajtur sot “Siguria Njerëzore, Problemi dhe Reagimi Institucional” është prezantuar strategjia e re nacionale për rini 2018-2022.

Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, trafikimit të qenieve njerëzore, delikuencës të të miturve, sfidat dhe reagimi institucional.

Gashi ka thënë se këtë strategji, MKRS-ja e ka hartuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së dukurive negative të cilat cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e rinisë. Ai ka folur edhe rreth transparencës dhe llogaridhënies të punës së shoqërive civile, përkatësisht organizatave dhe qendrave rinore të komunave të Kosovës, me të cilat janë bërë marrëveshje të kontraktuara.

“Ne sot njëkohësisht do të vlerësojmë punën dhe angazhimin, rekomandimet që kanë dalë drejtpërdrejtë nga qindra, mijëra të rinj anembanë Kosovës, përmes projekteve të mbështetura nga MKRS”, ka thënë ai. “Ngjarjet e tilla si fushata në TV, radio debatet, tryezat e diskutimit në komuna të ndryshme, shpërndarja e materialeve të shtypura dhe prezantimi i tyre në rrjetet sociale dhe mediet elektronike, kam parë që kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve dhe komunitetit në përgjithësi. Përpos familjes si bërthamë e rëndësishme e funksionimit të duhur të sistemit shoqëror, në kohët e sotme një pjesë bukur e madhe e barrës bie edhe organizatave të shoqërisë civile, sidomos të Organizatave Rinore. Për këtë qëllim MKRS do të mbështesë ato dhe nismat e ndryshme që merren me promovimin e mjedisit të sigurt përmes granteve në baza vjetore. Mbështetja nuk do të kufizohet vetëm në ndërgjegjësim për rëndësinë e të pasurit një mjedis të sigurt brenda Kosovës por edhe për nismat tjera rajonale dhe ato ndërkombëtare”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme