Arbëri

Kushtetuesja e Maqedonisë hodhi poshtë nismën kundër referendumit për emrin

Descriptive Text

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë sot hodhi poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpalljen e referendumit të miratuar nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë më 30 korrik të këtij viti.

Shtatë gjyqtarë kushtetues votuan kundër iniciativës dhe dy ishin për. Pas prononcimit të të gjithë gjyqtarëve pasoi votimi ku u refuzua iniciativa për fillimin e procedurës.

Bartës të nismës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit për shpalljen e referendumit, janë partia politike E Majta dhe Kongresi Botëror Maqedonas.

Parashtruesit e iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpalljen e referendumit, vlerësojnë se vendimi për referendumin nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Maqedonisë, Ligjin për referendum dhe format tjera të deklarimit të drejtpërdrejt të qytetarëve si dhe me standardet e caktuara evropiane dhe praktikat e mira të referendumit të miratuara nga Komisioni i Venecias.

Qeveria e Maqedonisë dhe e Greqisë në qershor të këtij viti në Prespë nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit Maqedoni-Greqi dhe partneritet strategjik, sipas të cilës Maqedonia do të ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes gjithashtu është praparë mbajtja e referendumit në Maqedoni, i cili është planifikuar për 30 shtator të këtij viti. Pyetja e referendumit do të jetë: "A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë?".