VV tërthorazi fton edhe PSD-në në protestë Foto nga arkivi

VV tërthorazi fton edhe PSD-në në protestë

19 shtator 2018 20:30

21:08 - Edhe pse sërish pa ua përmendur emrin, Vetëvendosje tërthorazi ka ftuar Partinë Socialdemokrate në protestën e thirrur për 29 shtator.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se i thërrasin të gjitha partitë opozitare që të bashkohen në protestë kundër dialogut për kufij me Serbinë.

“Ne iu bëjmë thirrje, ftesë anëtarësisë së LDK-së dhe subjekteve tjera opozitare, por pse jo edhe qytetarëve që kanë votuar partitë tjera. Po presim të kemi qytetarë të anëtarësisë së subjekteve tjera që janë të vetëdijshëm për situatën e vështirë në të cilën jemi”, ka thënë ajo në Rubikon të KTV-së.

Kujtojmë se PSD kishte thënë se nuk është ftuar për protestë nga VV-ja dhe nuk sheh arsye të dalë “diku ku nuk është e ftuar”.

Për këtë, Nagavci ka thënë se nuk e kanë ftuar zyrtarisht PSD-në, pasi sipas saj PSD-ja është deklaruar se më nuk merr pjesë në protesta.


“Vetëvendosje po i ndihmon Thaçit të vazhdojë dialogun siç është tash”

21:00 - Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu në Rubikon të KTV-së duke ju drejtuar veprimeve të opozitës ka thënë se po i ndihmojnë presidentit Hashim Thaçi që të vazhdojë dialogun në formën siç është aktualisht.

Deklaratën e deputetes së VV-së, Arbërie Nagavci, se dialogu nuk duhet të vazhdojë siç është tani dhe se duhet të ndërpritet, Haxhiu iu është përgjigjur se “është deklaratë e vonuar”.

“Deklaratat kohë më parë kanë qenë që kjo formë e dialogut të mos vazhdojë. Po i ndihmoni presidentit Thaçi që të vazhdojë. Mbi të gjitha, ju Vetëvendosja jeni të interesuar që të vazhdojë ashtu siç po vazhdon tash”, ka thënë Haxhiu duke iu drejtuar deputetes së VV-së, Arbërie Nagavci,

Në anën tjetër, Nagavci ritheksoi qëndrimin e partisë së saj se dialogu duhet të ndërpritet.


Krasniqi thotë se opozitës po i mungon koordinimi

20:44 - Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi në Rubikon të KTV-së ka thënë se partitë opozitare nuk po kanë koordinim mes vete pasi secili subjekt po merr iniciativa individuale.

Duke mos e përmendur protestën e thirrur nga Vetëvendosje, Krasniqi iu referua veprimeve, siç tha ai, “ad hoc” dhe pa asnjë plan afatgjatë.

“Secili subjekt po merr iniciativa, në aspektin opozitar, nuk ka plan afatgjatë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje, ne jemi të gatshëm. Krahas kësaj po kemi veprime ‘ad hoc’, një ditë e bojkotojmë Kuvendin, ditën tjetër shkojmë në Kuvend”, ka thënë ai.

Krasniqi theksoi se ende ka mundësi që të miratohet rezoluta e propozuar nga PSD, përmes së cilës, tha ai do t’i kthehej fuqia vendimmarrëse opozitës.

“Ka mundësi sot që të miratohet një rezolutë me përfshirjen e partive tjera opozitare e cila ia kthen fuqinë Kuvendit, ia kthen fuqinë vetë opozitës sepse po të miratohej rezoluta jonë nuk do të kishim asnjë vendim pa mbështetjen e opozitës. Në këtë kuptim nuk janë shterë ende krejt mundësitë”, shtoi tutje Krasniqi.

“Një pjesë të fajit e ka qeveria, pjesën më të madhe e ka Presidenti. Përveç që është zgjedhur në një mënyrë problematike, ai po vazhdon të marrë vendime problematike. Në anën tjetër kemi një lloj moskoordinimi pasi ka nisma individuale partiake”, ka thënë Krasniqi.

“Në fillim kur është propozuar rezoluta nga PSD-ja do të mund ta kishte përkrahjen e qeverisë dhe nuk do të kishte nevojë Qeveria të propozojë në seancë paralele. Ne deri tash kemi fol veç për emra po jo se si duhet të dialogojmë. Ne kemi konsideruar se është elementare që para se të flasim për emra, duhet të flasim për platformë dhe çfarë qëndrimi duhet të kemi”, ka thënë Krasniqi.


Nisma kundër rezolutës së opozitës, dëshiron një të përbashkët

Ndonëse Kuvendi i Kosovës po dështon të mbajë seancat dhe të votojë ekipin negociator dhe rezolutën e propozuar nga opozita, sipas deputetit të Nismës, Enver Hoti, puna në Kuvend nuk është e bllokuar.

“Kuvendi nuk është i bllokuar. Unë mund të them që për herë të parë kjo qeveri po provon t’i jep kuptimin e vet Kuvendit”, ka thënë Hoti. “Qeveria ka bërë punën e vetë, ka propozuar ekipin negociator. Deklarimet e presidentit të vendit kanë sjell paqëndrueshmëri dhe pavendoshmëri dhe institucioni kryesor që duhet të merret me këtë është Kuvendi”.

“Ne kemi shkuar atë ditë në seancën e opozitës por jo për ta dhënë votën mirëpo për ta thënë fjalën tonë”, shtoi tutje ai.

Nisma Socialdemokrate nuk do ta votojë rezolutën e propozuar nga opozita pasi sipas Hotit, nëse duhet të bëhet ndonjë rezolutë atëherë ajo duhet të jetë e përbashkët.

“Ne do t’ia bëjmë korumin opozitës por nuk do ta votojmë sepse mendojmë se duhet të bashkohemi të gjithë për ta nxjerrë një rezolutë nëse duhet ndonëse nuk ka dokument më të fortë se sa Kushtetuta e vendit”, deklaroi ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme