Arbëri

Masa disiplinore ndaj punëtorëve shëndetësorë që s’e respektojnë orarin e punës

Secili nga mjekët dhe infermierët, pa përjashtim, që nuk e respektojnë orarin e punës dhe mungojnë gjatë kujdestarive, do të përballen me masa disiplinore, arporotn KTV.

Këtë porosi ua ka bërë atyre drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, i cili ka thënë se tani e tutje nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Ai ka paralajmëruar stafin mjekësor se gjatë gjithë kohës do të ketë inspektime për të parë nëse po respektohet orari.

Sejdiu, në një konferencë për media, ka thënë se suspendimet e fundit të mjekëve nuk janë bërë kundër individëve të caktuar por po kërkohet vetëm vënia e rregullave, të cilat kanë munguar.

Sipas tij, me këto veprime edhe shërbimi ndaj pacientëve do të përmirësohet. Gjithashtu Sejdiu ka thënë se çështja e suspendimeve të fundit nuk duhet të politizohet dhe të mbrohen këta mjekë.

Ndërkaq, kryetari i komisionit disiplinor në këtë institucion, me fakte, ka treguar pse është përjashtuar Sami Salihu, i cili për një vit të mungesës së tij ka marrë rrogë nga QKUK-ja, ndërkaq ka punuar në një klinikë private.

Në konferencë u tha se në vazhdimësi po punohet që të krijohen kushte të mira për stafin mjekësor, të cilëve u është premtuar se do t’iu rriten edhe pagat, është investuar në infrastrukturë si dhe në aparaturë.

Këto, sipas udhëheqësve të ShSKUK-së, janë arsye të mjaftueshme që mjekët ta respektojnë orarin e punës.