Arbëri

“Veteranët nuk do të ankohen më rreth kategorizimit të tyre”

Nga nesër, asnjë veteran nuk do të ankohet në Prokurorinë Speciale për kategorizimin e tyre si veteranë të rremë, raporton KTV.

Kjo pasi organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së kanë marrë vendim që t’i ndërpresin ankesat në Prokurorinë Speciale, deri sa kjo e fundit të mos tregojë arsyen e lejimit të një gjëje të tillë.

Kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, thotë se me këtë gjë, Prokuroria është duke u shndërruar nga një organ hetues në atë rivlerësues.

Sipas tij, OVL-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të fillojë rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një komisioni, i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me ligj.

Madje, sipas Gucatit, kjo gjë do të ishte më pak e kushtueshme, duke theksuar se prokuroria e ka degraduar të gjithë procesin. Ai ka përmendur faktin që statusin veteranët e kanë fituar individualisht dhe marrja e këtij statusi do të duhej të bëhej individualisht.

Ndërkaq, avokati i organizatës, Gafurr Elshani, ka theksuar se pavarësisht që ka kërkuar nga Prokuroria Speciale sqarim se në bazë të kujt janë hartuar ato lista, ai nuk ka marrë një sqarim të tillë.

Ai ka shtuar se i vetmi sqarim që kanë marrë nga Prokuroria është se dokumentacionet nuk kanë qenë në rregull.

Prokuroria Speciale e ka dorëzuar më 14 shtator aktakuzën në Gjykatë. Emrat e mbi 20 mijë veteranëve janë publikuar në mediat online, në mesin e të cilëve kishte edhe ushtarakë të dëshmuar në luftë.