Arbëri

Mundësi të gjera bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në kuadër të Agjendës Digjitale

Ministri i Ministrisë së Inovacionit Besim Beqaj gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe pjesëmarrjes në Festivalin e Inovacionit, ka takuar zëvendëskryeministren e Shqipërisë Senida Mesi.

Ata, sipas njoftimit për media, kanë bashkëbiseduar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave në ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve përmes përdorimit të teknologjisë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë shumë mundësi bashkëpunimi në shumë sektorë, sidomos në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit, në kuadër të Agjendës Digjitale të Komisionit Evropian për Ballaknin Perëndimor”, tha ministri Beqaj gjatë takimit.

Zëvendëskryeministrja Mesi u shpreh me admirim për fokusin që i ka dhënë Kosova inovacionit, ndërmarrësisë dhe ekonomisë digjitale, duke krijuar ministri të veçantë dhe duke ndarë fonde për përkrahje të ndërmarrjeve fillestare dhe atyre që operojnë në fushën e inovacioni.

Gjatë këtij takim janë diskutuar edhe temat të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë digjitale, inovacionin, start-upet, ndërmarrësinë dhe investimet engjuj. Ministri Beqaj e ka informuar znj. Mesi edhe për objektivat programore të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ministri Besim Beqaj ka thënë po ashtu se zëvendëskryeministrja Sendia Mesi do të jetë një nga mysafirët e veçantë në Konferencën Ndërkombëtare “DIGITALKS”, që do të mbahet më 11 dhe 12 tetor në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. ​