Arbëri

Kurti: Normalizimi i shteteve së brendshmi, më i rëndësishëm sesa ai i raporteve të liderëve autoritarë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fitore Pacolli, priti sot delegacionin nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, kryesuar nga diplomati dhe ish këshilltar i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, z. Robert Cooper, znj. Vessela Tcherneva, drejtore e Programeve, dhe znj. Tania Lessenska, koordinatatore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit për media të Vetëvendosjes, z. Cooper gjatë takimit shprehu interesim që të kuptojë më shumë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, rreth zhvillimeve të fundit politike në vend dhe idetë për të ardhmen.

Në njoftim theksohet se kryetari Kurti shpalosi kritikën dhe kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje karshi dialogut joparimor e jotransparent e veçanërisht ndaj iniciativës personale të presidenti Thaçi, e cila është e dëmshme për shtetësinë e pavarësinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës. Ai po ashtu theksoi se për të arritur paqe të qëndrueshme është e nevojshme të fillojmë një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës për zhvillim. Punësimi dhe drejtësia duhet të jenë prioritet, sepse janë preokupim kryesor i qytetarëve pa dallim etnie. Normalizimi i shteteve së brendshmi është më i rëndësishëm sesa normalizimi i raporteve të liderëve autoritarë, ndërkaq BE-ja mbrohet nëpërmjet paqes me anti-fashizëm brenda dhe shtetit të mirëqenies, si bazë e lirisë. Në fund, Kurti shtoi se në Kosovë duhet të ndryshojë qasja nga fokusi i tepërt në gjeopolitikë te socio-ekonomia, arsimi e shëndetësia.

Në fund palët u dakorduan t’i vazhdojnë kontaktet e takimet në të ardhmen.