Arbëri

Gratë paguhen më pak se burrat

Descriptive Text

​Rrëfimi i gruas e cila po diskriminohet dhe keqtrajtohet në vendin e punës.

Me shumë vështirësi arrijnë të sigurojnë vendin e punës. Por, diskriminimet ndaj tyre vazhdojnë edhe pasi të punësohen, shkruan KosovaPress.

Pavarësisht kualifikimeve arsimore e madje edhe përvojës së punës, grave po u bëhen padrejtësi edhe në pagesë.

M.A, në kushte anonimiteti ka rrëfyer për torturën që është duke përjetuar në vendin ku ajo punon.

“Punoj në një market në Gjilan, e bëjë të njëjtën punë, kam të njëjtin kualifikim ndoshta edhe ma tepër se disa kolegë meshkuj, por paguhem më pak se ata, këtë gjë e kam vërejtur gjatë nënshkrimit në listën e pagave, por edhe nga bisedat me kolegë”, tregon ajo.

Mirëpo, kjo gjë si duket nuk u ka mjaftuar punëdhënësve.

Puna me orar të tejzgjatur, nuk po i paguhet asnjëherë.

“Punoj edhe me orar shtesë dhe s’paguhem, dhe as që guxon të ankohesh se menjëherë del nga puna”, shton M.A.

Nuk është kjo e gjitha.

M.A nuk ka as kontratë të mirëfilltë, për dallim nga kolegu i saj mashkull, siç thotë ajo.

Pikërisht këto raste e kanë shtyrë Selman Krasniqin nga Hajvalia të drejtojë një kërkesë në Qeverinë e Kosovës, për parandalimin e këtyre diskriminimeve gjinore.

“E pata pa në Televizor që deputetja Ganimete Musliu e patë hap zyrën për me pranu kërkesa dhe ideja të qytetarëve, edhe menjëherë e kom bo kërkesën për rritjen e pagave të gjinisë femërore. Pastaj Ganimetja më ka drejtu te shefja e grupit të grave ku në atë kohë ka qenë Blerta Deliu Kodra, pastaj ajo më ka drejtu në Qeveri, jom taku me Vlora Dumoshin. Prej asaj kohe kanë kaluar 2 vjet e gjysmë dhe ende nuk është marr parasysh kërkesa ime”, shpjegon Krasniqi.

Megjithatë, ani pse kërkesën e Krasniqit nuk e morën parasysh, ai tregon se Musliu, Deliu Kodra dhe Dumoshi kishin pohuar se raste të tilla ka.

“Në atë kohë ishim duke punuar në projekt ligjin e pagave të shërbyesve civil”, kështu e arsyeton zvarritjen e kësaj kërkese, anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi.

Kryetari i BSPK’së Jusuf Azemi, vlerëson se këto diskriminime gjinore janë para se gjithash shkelje e të drejtave të punëtorëve.

Duke theksuar mes tjerash se gruas, në vendin e punës, i mungojnë edhe të drejtat elementare.

“Në numër të vogël janë ato që kanë kontrata të punës. Ka edhe shumë raste që gratë bëjnë mirëmbajtjen e objekteve qeveritare e parlamentare, pronarët e kompanive assesi nuk e kanë një përkujdesje për gjininë femërore, ku është shumë e rrezikshme puna që bëjnë, t’ua shohësh duart i kanë të gjitha të plasaritura nga detergjentet, ku e vetmja kërkesë e pronarëve të kompanisë është që ato ta kryejnë punën, pa asnjë mëshirë”, shprehet Azemi.

Iliriana Banjska nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës thotë se diskriminimi më i madh grave u bëhet edhe gjatë punësimit.

“Prej një hulumtimi të Rrjetit të Grave të Kosovës punëdhënësit u pyetën që nëse “Gjatë punësimit, nëse do të ju duhet të zgjidhni në mes të një kandidati grua dhe burrë që ka të njëjtin nivel të arsimimit, të njëjtin kualifikim, dhe të njëjtën përvojë, cilin do ta zgjidhnit?” Pothuajse gjysma (47.6%) thanë që do të zgjidhnin burrin, përderisa 23.2% do të zgjidhnin gruan; 29.2% thanë që nuk e dinin si do të vepronin”, deklaron ajo.

Sipas Drejtoreshës së Qendrës për Barazi Gjinore, Luljeta Demolli, gratë çdo ditë e më shumë po dekurajohen edhe të marrin pjesë në tregun e punës.

“Gratë në ekonominë e Kosovës përballen me shumë sfida, në fuqinë punëtore, më shumë se 80% e grave janë joaktive. Paga minimale për gratë (160 euro) është tepër dekurajues për tu përfshirë edhe në tregun e punës”, thotë Demolli.

Zëdhënësja në Qeverinë e Kosovës, Donjeta Gashi, thotë se Agjencia e mandatuar për monitorimin e LBGJ është duke punuar për hartimin e programit të Kosovës për Barazi Gjinore ku si pikë kyçe do të jetë përmirësimi i kësaj situate.

“Janë parapa edhe një sërë hulumtimesh mbi pozitën dhe rolin e grave ku edhe pjesa e pagës do të hulumtohet. Dokumenti është në hartim e sipër”, deklaron Gashi.

Derisa plane të tilla të hartohen, për M.A dhe shumë gra të tjera, dëshira e vetme mbetet që vlerësimi në punë të mos u bëhet për shkak të gjinisë.