Arbëri

As kushte, as staf adekuat për trajtimin e pacientëve në komë

Foto: Koha

Kosova ende nuk ka një qendër të veçantë për trajtimin e pacientëve, të cilët janë në gjendje kome vigjilje (të zgjatura), shkruan sot Koha Ditore.

Këta pacientë barten nga njëra klinikë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në tjetrën, ku asnjëra nuk ka as kushte adekuate, as kuadro të specializuar për trajtimin e tyre. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) nuk ka plan për zgjidhjen e këtij problemi.

Basri Sejdiu, drejtor i ShSKUK-së, ka thënë për gazetën se ende nuk e di nëse do të krijojnë hapësira të veçanta për këtë kategori.

“Bordi ka diskutuar për çështjen e këtyre pacientëve, por ende nuk është marrë vendim përfundimtar se si do të veprojmë”, ka thënë ai.

Megjithatë, Sejdiu ka rekomanduar që pacientët të cilët nuk janë nga Komuna e Prishtinës të trajtohen në klinikat e qyteteve ku jetojnë.

“Pacientët të cilët janë në gjendje kome e që janë nga vendet e tjera të Kosovës mund të trajtohen në spitalet rajonale, ngase QKUK-ja nuk ka vend për trajtimin e tyre”, ka thënë ai .(Shkrimin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore).