Arbëri

Shumë shkolla ankohen për mungesë të teksteve shkollore

Edhe pse viti i ri shkollor ka nisur tash e dy javë, një pjesë e madhe e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta nuk janë furnizuar me tekste shkollore, shkruan sot Koha Ditore.

Fillimin jo të mbarë nuk e ka evituar as Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e cila në ditën e parë të vitit shkollor ishte zotuar se i ka bërë të gjithë përgatitjet e duhura me shpërndarjen e teksteve mësimore. Tekstet për klasat nga e para deri në të nëntën kjo ministri i ndan falas tash e disa vjet.

Mësimdhënësit dhe drejtorët e disa shkollave kanë shprehur shqetësim se nxënësit nuk i kanë marrë të gjitha tekstet, kryesisht të shkencave natyrore dhe të gjuhëve të huaja. Janë ankuar se procesi mësimor nga 3 shtatori po realizohet me vështirësi.

Mësuesja e klasës së parë në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë, Ferdane Krasniqi, tash e 12 ditë po mundohet të gjejë forma alternative për mbajtjen e orëve mësimore pasi komplet klasa e saj ka mbetur pa tekste. (Artikullin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore).