Arbëri

Pa leje nga Komuna, nis rinovimi i Mensës së Studentëve

Ndërtesa, e cila konsiderohet si një prej ikonave arkitekturore të Prishtinës së shekullit XX, ka nisur të rinovohet, raporton KTV.

Objekti i mensës së studentëve mund të marrë krejtësisht pamje tjetër pas investimeve.

Qendrës së Studentëve i është refuzuar leja nga Komuna e Prishtinës për të filluar me projektin, pasi komisioni i formuar nga kjo komunë vlerësoi se plani i paraqitur për lejen ndërtimore me qëllim riparimi të kërkesave për efiçiencë të energjisë, ofron zgjidhje të papërshtatshme që ndryshon pamjen e jashtme të arkitekturës origjinale të ndërtesës.

Por, pavarësisht kësaj, punimet këtu po vazhdojnë. Drejtori i Qendrës së Studentëve arsyetohet se Komuna nuk iu ktheu asnjë përgjigje lidhur me lejen deri sa filluan punimet.

Komuna, në anën tjetër, ka konfirmuar se janë duke biseduar për arritjen e një marrëveshjeje dhe ka përmendur se inspektorët do të jenë në terren.

“Nëse duan të rihapet lënda, duhet ta kompletojnë dokumentacionin. Për këtë jemi ne diskutim. Sepse, sa i përket kërkesës paraprake, refuzimi e ka mbyllur lëndën”, ka thënë zëdhënësi Adonis Tahiri.