Arbëri

“Politika të jetë e kujdesshme kur flet për UÇK-në”

Ish udhëheqësi politik i UÇK-së, tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se askush nuk mund ta mohojë kontributin dhe sakrificën e luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së, raporton KTV.

Por, ai ka kërkuar që politika të jetë e kujdesshme me rastin e veteranëve, derisa ka bërë thirrje për përmbajtje nga fyerjet.

Ka thënë se duhet shikuar edhe plotësimi i ligjit sepse, sipas tij, ligji aktual ka vakum që lë interpretim në forma të ndryshme dhe për këtë kanë ndodhur pështjellime. Presidenti i është përgjigjur kryeministrit, që thotë se korrigjimi i kufijve nxit luftë të re në Ballkan.

Por, kryeministri nuk beson se me këtë deklaratë presidenti i është referuar atij, por ka vazhduar se korrigjimi është kthim prapa kah tragjeditë.

I pari i shtetit, që e ka lexuar gati pikë për pikë editorialin e së dielës, ka thënë se nuk do të ketë korrigjim të kufirit përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë eksod të popullsisë dhe as efekt domino.

Kur foli për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë kjo e vazhdueshme e opozitës, presidenti tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse partitë politike merren vesh për këtë. Tha se aktualisht ka shumicë parlamentare dhe askush nuk mund të vejë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.