Arbëri

Daçiq i jep të drejtë Thaçit

Beograd, 18 shtator - Ne nuk e pranojmë Kosovën, sepse është krijesë ilegale. Kështu citojnë mediat e Beogradit të ketë thënë ministri e Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, sipas të cilit “presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka të drejtë kur thotë se Serbia nuk do të lëshojë pe para çfarëdo presioni për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, transmeton Koha.net.

Gjatë një konference me gazetarët, kryediplomati serb ka thënë se Serbia nuk mund të pranojë shpalljen e njëanshme të pavarësisë meqë ky është akt kundër të drejtës ndërkombëtare dhe, sipas tij, nuk vjen në konsiderim njohja e diçkasë që është akt i njëanshëm, pavarësisht nga presionet, ka thënë Daçiq, ani pse GJND-ja shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar të ligjshëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rikujton Koha.net.

“Tjetër gjë është”, sipas Daçiqit, “nëse dikush dëshiron që me kompromis të kapërcejë problemt, pa çka nuk ka ecje përpara as Beogradi, as Prishtina”, e citojnë atë mediat. “Edhe vetë Thaçi ka thënë se pa pëlqimin e Serbisë nuk ka zgjidhje”, është shprehur ai.

Kreu i diplomacisë serbe Ivica Daçiq deklaroi se kur është fjala për ndryshimin e kufijve, parimi ndërkombëtar është “të mos thyejmë kufijtë me forcë”.

“Askush këtu nuk ka ndërmend të ndryshojë kufijtë me forcë, do të ketë një marrëveshje apo jo”, vuri në dukje Daçiq.

Ai tha se të gjitha vendet, përveç Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, mbështesin një zgjidhje kompromisi dhe nuk ndërhyjnë në atë që do të jetë.

“Gjermania dhe Britania e Madhe kundërshtojnë ndryshimin e kufijve, dhe Serbia pajtohet në parim me këtë”, tha kryediplomati serb.