Arbëri

Apeli vërteton dënimin për Kurtin, Haxhiun, Kadaj-Bujupin e Topallin

Descriptive Text

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me burgim me kusht për liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe deputetë Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.

Gjykata Themelore i kishte shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu, më 3 janar 2018.

Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg. Dënimi është me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare. Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj. Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj. Ndërsa, deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.