Arbëri

VV-ja vazhdon mobilizimin për protesta

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon mobilizim me qytetarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

Në këto takime me qytetarë, po diskutohet në lidhje me situatën politike në vend si dhe hapat e mëtutjeshëm të Lëvizjes karshi, siç thonë ata, temës së rrezikshme e cila synon cungimin e territorit dhe ndarjen e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Pazareve me Serbinë që po tenton t'i bëjë presidenti Thaçi ne po i përgjigjemi me mobilizim qytetarë gjithandej nëpër Kosovë. Aventurës së tij kokë në vete ne do t'i përgjigjemi me vullnetin e popullit. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë më të gatshëm se kurrë t'i japin fund të keqes”, është postimi i fundit në faqen zyrtare të VV-së.

Në ndërkohë, LDK-ja tashmë zyrtarisht ka thënë se kjo parti nuk e sheh të rrugës të protestohet.

“Në momentin kur vlerësojmë se do të duhet të ketë protestë do të organizojmë apo do të bashkohemi me të tjerët për to. Për momentin mendojmë se ka instrumente tjera që të tregojmë qëndrimin e LDK-së dhe nuk e konsiderojmë se tash të dalim në rrugë e të protestojmë për këto çështje”, tha Isa Mustafa në Mbledhjen e Kryesisë së mbajtur pak më herët.

Ndërkohë, Partia Socialdemokrate, thotë se nuk ka marrë ftesë për organizim të ndonjë proteste nga ndonjë subjekt politik.

“Nuk është se zyrtarisht është shpallur për momentin ndonjë protestë, por vetëm ideja për organizim. Në rrethana të tilla s’është e udhës të flitet për ndonjë vendim nga ana jonë lidhur me këtë. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje për bashkëpunim jo vetëm të opozitës, por edhe shoqërisë civile, me qëllim që zoti Thaçi të mos e udhëheq procesin e dialogut me Serbinë”, ka thënë për Koha.net zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Ajo tha se PSD-ja vazhdon të insistojë që në procesin e dialogut askush nuk duhet të shkojë pa një Platformë Shtetërore që merr pëlqimin e 2/3 të Kuvendit.