Arbëri

Pula: Thaçi po punon për minimin e ndikimit gjerman në Evropë

Sociologu Besnik Pula, profesor në Virginia Tech në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, veçmas idenë e fundit të presidentit Hashim Thaçi, për korrigjim të kufirit.

Pula ka thënë se Thaçi po punon në minimin e ndikimit gjerman në Evropë.

“Interesant është se si Thaçi në gjeopolitikën aktuale po punon në minimin e ndikimit gjerman në Evropë. Berlini ia ka bërë të qartë Serbisë se nuk ka anëtarësim të Serbisë në BE pa zgjidhjen e problemit me Kosovën. Me një fjalë njohjen e Kosovës si të pavarur. Kjo domethënë një gjë – se në këtë pikëpamje, faktori kohë punon në favor të Kosovës, përderisa Gjermania ka mbajtur këtë qëndrim dhe përderisa Serbia do gjithsesi të bëhet pjesë e BE-së”, ka komentuar Pula.

Image

“Por jo – Thaçi, në synim për faktorizimin e vetes me çdo kusht e me çfarëdo çmimi, për bërjen e një ‘marrëveshjeje historike’ me partnerin e tij serb, fut në lojë territoret e Kosovës. Kërkesë kjo e kahershme e Beogradit. Serbia në këtë anashkalon Berlinin, duke marrë mbështetjen e faktorëve pro-serbë në Washington, arrivistëve ambiciozë në Vjenë si kryeministri i saj i ri Kurz, dhe sigurisht bekimin e Moskës (e cila do të jetë përfituesi më i madh i legjitimimit të konceptit të ‘korrigjimit të kufijve’ në Evropë). Tani edhe pasi Berlini përsëritë kundërshtinë e vet – njëherë nga kancelarja Merkel në Shkup dhe pastaj nga ambasadori gjerman në Beograd – që e bën edhe Vuçiqin të tregohet më i matur në qasjen e tij, është pikërisht Thaçi ai që insiston në domosdoshmërinë e ndryshimit të kufijve”, ka shtuar më tej Pula, që ka shtruar edhe një pyetje në fund.

“Vërtetë, për llogari të kujt punon ky njeri?”.