Arbëri

Vetëvendosje me tubime mobilizuese për aktivistët dhe anëtarët, sot në Podujevë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot takim mobilizues me aktivistë dhe anëtarë në Podujevë.

Sipas njoftimit për media aty është diskutuar në lidhje me situatën politike në vend, si dhe hapat e mëtutjeshëm të Lëvizjes karshi, siç është thënë, temës së rrezikshme e cila synon cungimin e territorit dhe ndarjen e Kosovës.

Të pranishëm në këtë tubim ishin shefi i grupit parlamentar Glauk Konjufca si dhe deputeti Liburn Aliu. Mysafir ishte edhe anëtari i kryesisë, Ajet Potera.

“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë do të vazhdojë me tubime tjera mobilizuese me qytetarët në ditët dhe javët e ardhshme”, thuhet në njoftim.

Image

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje, e kishte nisur nga Gjilani turin e tubimeve mobilizuese, për atë që e ka quajtur mbrojtje të sovranitetit dhe kundër ndarjes së Kosovës.

Në Gjilan kishte qenë kryetari Albin Kurti, e përkrah tij deputeti Shemsi Syla dhe asambleistja Arjeta Rexhepi. Tubimin e kishte hapur kryetari i Qendrës së VV-së në Gjilan, Nevzad Isufi “duke akuzuar presidentin Thaçi se është bërë figura më përçarëse në politikë e cila tani po tenton ta përçajë edhe territorin e vendit”.

Sipas njoftimit, në vazhdim, Isufi përmendi problemet e shkaktuara nga decentralizimi në komunën e Anamoravës dhe diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në luginën e Preshevës.

“Edhe një zyrë e hapur për adresimin e problemeve të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është mbyllur pa shpjegim nga kryetari i komunës Lufti Haziri”, thuhet në njoftim.

Kurti atje kishte thënë se 10 vite pas fillimit të procesit të decentralizimit, i cili e ka gjymtuar Kosovën dhe Anamoravën, do duhej bërë një vlerësim i këtij gjymtimi dhe jo t’i shtohet një lojë e rrezikshme me një aventurë personale të Thaçit, e cila po i shkon përshtat aspiratave shoviniste të Beogradit.

Duke vënë në dijeni qytetarët për vendimin e Kryesisë së Lëvizjes për organizimin e protestave masive dhe koordinimin me LDK-n, Kurti tha se “ka ardhur koha që qytetari i Kosovës të ngrihet në skenën politike, ku është braktisur nga ata që duhet t’ia mbronin dhe përfaqësonin interesat”.

Në vazhdim përsëriti qëndrimin e panegociueshëm të Lëvizjes se presidenti nuk mundet të shkojë në dialog pa parime dhe mandat; se aventurat personale të Thaçit nuk mund të lejohen të bëhen kompromise të dhimbshme për Kosovën; se sa më shumë i rrezikohet karriera Thaçit, aq më shumë e rrezikon ai Kosovën; dhe se ideja e tij për korrigjimin e kufijve ka relativizuar atë që është e parelativizueshme, pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.

Kurti e përmblodhi qëndrimin e Lëvizjes duke shpjeguar se bisedimet me Serbinë do të duhej të nisnin me kërkesën për njohjen e pavarësisë, pagimin e reperacioneve për dëmet e luftës dhe garantimin e reciprocitetit të të drejtave. “Çfarë kanë për të drejta serbët në Kosovë duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, por jo vetëm”, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij kryetari i Vetëvendosjes.

Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta në rrugë për të kundërshtuar Thaçin dhe idenë e tij për korrigjim të kufirit, por ende nuk ka një datë se kur do të mbahen ato. Për këtë protestë thirrje publike i ka bërë edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.