Arbëri

LDK-ja takon Kamberin, thotë se në dialog duhet përgatitje e gjithëpërfshirje

Descriptive Text

Kryetari i GP-LDK-së, Avdullah Hoti së bashku me deputetët Armend Zemaj dhe Besa Gaxherri pritën në takim kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, së bashku me deputetin Fatmir Hasani dhe nënkryetaren e Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani.

Sipas njoftimit për media të LDK-së, në takim u bisedua për zhvillimet e muajve të fundit dhe qëndrimin e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Biseduan për pozitën e shqiptarëve atje dhe rolin shumëvjeçar të LDK-së në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë. LDK-ja konsideron se për dialog me Serbinë duhet të kemi një proces të përgatitur dhe gjithëpërfshirës, si dhe përfaqësim me legjitimitet politik e kushtetues”, thuhet në njoftim.

Në fund të njoftimit, LDK-ja thotë se mbetet e përkushtuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe do të intensifikojë komunikimin me ta në të gjitha fazat.