Arbëri

Kosovës i duhen shkollat që përgatisin kuadro për nevojat e tregut evropian

Descriptive Text

Fëmijët e Prizrenit janë me fat që e kanë një shkollë si Loyola dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një vizite pune që i bëri gjimnazit “Loyola” dhe ku u prezantua projekti i ri Shkolla e lartë profesionale ‘Loyola”, projekt ky që domen ka fushën mekatronike dhe i cili parashihet të jetë pjesë e Parkut Inovativ Trajnues në Prizren.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se "ky është investimi më i mirë që mund të bëjmë, pra shkollimi i duhur dhe cilësorë i fëmijëve tanë, dhe ky është edhe orientimi ynë si Qeveri, për arsimimin e të rinjve tanë. Çdo përpjekje që e ofron këtë, do të marrë mbështetjen institucionale, është shprehur ai.

“Qëllimi është që të aftësohen të rinjtë tanë për tregun e punës, që të avancojnë si në shtete tjera të zhvilluara, Gjermani, Austri apo diku tjetër”, tha kryeministri i Kosovës, duke vlerësuar faktin se si kjo shkollë me mësimdhënës kosovarë dhe nxënës kosovarë ka sukses të jashtëzakonshëm në arsimimin e të rinjve tanë.

“Ky është modeli që duhet ndjekur”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë prezantimit të projektit për shkollën e re janë paraqitur udhëzimet se si kjo shkollë mekatronike mund të funksionojë në mënyrën më të mirë, duke iu përshtatur tregut të punës, arritja e së cilës mund të bëhet përmes lidhjes nxënës-shkollë-kompani.

Pjesë e prezantimit ishin edhe kompani kosovare të cilat paraqiten nevojat e tyre konkrete për punësim.

Në ceremoni ishin prezent ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, drejtori i Doganës, Bahri Berisha,ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka si dhe përfaqësues tjerë institucionalë dhe të Odave Ekonomike