Arbëri

Serbia u premton serbëve se do të investojë në Kosovë mbi 200 milionë euro

Autoritetet serbe flasin për qindra milionë euro, të cilat Qeveria e Serbisë do t’i investojë në Kosovë, në komunat me shumicë serbe, të shumtën në katër komunat veriore.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se është përgatitur plani i investimeve të projekteve në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë pas vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Investimet më të mëdha do të bëhen për të punësuarit në arsim e në shëndetësi (71 milionë euro), për vendbanimin “Lugina e Diellit” (25 milionë euro), për “Trepçën” (13 milionë euro), për QS (10 milionë euro), për ujësjellësin (6 milionë euro), transmeton rtk.

Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Kosovë javën që shkoi dhe premtimet e tij për investime në të gjitha fushat në komunat me shumicë serbe në Kosovë kanë rezultuar me hartimin e një plani të Zyrës Serbe për Kosovën për mbështetjen e projekteve që janë duke u realizuar ose që do të realizohen në komunat me shumicë serbe e të cilat do ta përbëjnë Asociacionin e Komunave Serbe (Zajednica), që pritet të formohet së shpejti.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se është duke u përgatitur plani i investimeve të një mori projekteve në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë pas vizitës dhe premtimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ndërkohë këtë e ka konfirmuar dhe e ka komentuar edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.