Arbëri

Kuvendi mbetet në krizë, përçarje në pozitë e në opozitë

LDK-ja e Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën e Kuvendit dhe kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë më deri kur kryeparlamentari ta thërrasë seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ta.

Glauk Konjufca ka thënë se kryeministri është shantazhuar nga presidenti.

Zafir Berisha i Nismës nuk ka kursyer fjalorin kur ka folur për presidentin Hashim Thaçi.

Kur nisi shqyrtimi i pikave të tjera, mezi u arrit kuorumi.

Aty arritën të votoheshin edhe disa amendamente të Projektligjit për Noterinë, por jo projektligji si tërësi, meqë si të pakënaqur nga salla dolën deputetët e 6 plusit, duke bërë kështu që të mos ketë vota të mjaftueshme që ligji të kalojë.

Deputetët shkuan në pauzë në orën 12:00 e nuk u kthyen deri rreth orës 14: 30, megjithëse kryetari kishte kërkuar që ata të jenë në sallë në orën 13:00.

Edhe kur nisi seanca, ajo zgjati vetëm disa sekonda, meqë kryeparlamentari i njoftoi deputetët se e njëjta do të vazhdojë të premten në orën 12:00.