Arbëri

Hetime të reja për keqpërdorime të ish-kryetarit të Gjilanit, Mustafa

Ish-kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, mund të përballet sërish me një aktakuzë të re, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV .

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, i ka thënë KTV-së se janë duke u kryer hetime të reja lidhur me një kallëzim penal kundër Qemajl Mustafës dhe se është në përfundim të tyre.

Ish-kryetari Gjilanit dyshohet se në vitin 2012 në mënyrë të jashtëligjshme kishte nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko – privat për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”.

Ekspertiza financiare e bërë nga Prokuroria Themelore nxjerr në pah se kompania private “Eco Vizion”, e cila kishte hyrë në partneritet me komunën, nuk ishte themeluar nga firma austriake “Moser Group”, por ishte themeluar nga disa individë. Por, ish-kryetari Mustafa i mohon të gjitha këto akuza, duke thënë se asnjëherë nuk ka vepruar jashtëligjshëm dhe se është krenar me marrëveshjen që ka bërë.