Arbëri

Fillon trajnimi dhe Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore

Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi dhjete javor i Shkollës së Stafit dhe Komandës Policore, i cili po mbahet për të pestën herë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Në hapje të këtij trajnimi morën pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, Menaxheri i Programit të ICITAP në Kosovë, William Bochter, zyrtarja e lart e programit të ICITAP-it Drita Perezic, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi, si dhe zyrtarë të tjerë nga këto institucione.

Në fjalën e tij, Bochter foli për rëndësinë e këtij trajnimi, ku mësimdhënësit janë nga Universiteti Northwestern nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai u shpreh mirënjohës për kontributin që AKSP ka dhënë gjithmonë në përkrahjen për mbajtjen e këtij trajnimi, duke vënë në pah gjithmonë ngritjen e nivelit të pjesëmarrësve pas përfundimit të tij. “ICITAP-i i është mirënjohës Akademisë për mbështetjen e këtij trajnimi dhe të gjitha aktiviteteve të cilat i zhvillon në partneritet, duke i falënderuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtyre viteve”- tha Bochter.

Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi, pasi foli për historinë e mbajtjes së këtij trajnimi në AKSP, ai rikujtoi edhe karakterin regjional që ka pasur ky trajnim gjatë katër herëve të kaluara. Drejtori Smakiqi vazhdoi të flasë për nivelin e lartë të trajnimit të ofruar nga mësimdhënësit prestigjiozë të Universitetit Northwestern nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, foli me konsideratën më ta lartë për cilësinë që ofron trajnimi në këtë Shkollë, duke ndarë me të pranishmit edhe përvojën e vet personale, kur ishte vijues i këtij trajnimi në gjeneratën e parë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, po ashtu u shpreh mirënjohës për organizatorët e këtij trajnimi, programin e ICITAP në Kosovë, si dhe falënderoi AKSP-në për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë këtij aktiviteti të rëndësishëm.