Arbëri

LDK-ja largohet nga salla e Kuvendit

20:42 - Deputetët e LDK-së që u kthyen për seancën e thirrur nga opozita, kanë ndalë nga salla dhe tani janë duke e mbajtur një konferencë për media.


LDK-ja në sallën e Kuvendit, kërkon mbajtjen e seancës së thirrur nga opozita

Pasi u njoftua se është shtyrë për nesër seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e ftuar nga qeveria për ekipin qeveritar për dialogun me Serbinë, deputetë të LDK-së kanë hyrë në sallën e Kuvendit duke kërkuar mbajtjen e seancës tjetër të jashtëzakonshme, të thirrur nga opozita.

Seanca e thirrur nga opozita, për të diskutuar për dialogun me Serbinë dhe për të votuar një rezolutë që ndalon presidentin Hashim Thaçi që të negociojë për territor të Kosovës, ishte paraparë të mbahej sot me fillim prej orës 10:00, një orë pas seancës së thirrur nga pozita, raporton Koha.net.

Deputetët e LDK-së po thonë se me 40 nënshkrime e kanë thirrur seancën dhe kjo duhet mbajtur po atë ditë sipas kërkesës.

Në sallë tash nuk është deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, që gjatë ditës ia bëri kuorumin pozitës, duke dalë kundër qëndrimit të partisë së saj.

LDK-ja po pret në seancë edhe hyrjen e deputetëve të Vetëvendosjes.