Arbëri

Mustafa flet për diagnozën dhe trajtimin - kishte infektim të sistemit periferik nervor

(21:43) - Ish-kryeministri i Kosovës shpjegoi në Rubikon për sëmundjen, diagnozën dhe trajtimin.

Më 7 janar të këtij viti, Mustafa tha se u ballafaqua me plogështim të sistemit muskulor dhe menjëherë të nesërmen u drejtua në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

“E konsideroj fitore të shëndetësisë kosovare pasi arritën menjëherë të nesërmen ta japin diagnozën e drejtë. Për një sindrom të infektimit të sistemit periferik nervor që në gjuhë shëndetësore është ‘Guilain Barre Syndrome’”.

Rehabilitimin e bëri në Gjermani për tre muaj tjerë dhe tash po vazhdon me ushtrime fiziterapuetike të përditshme.

“Do të dëshiroja të shkojë më shpejt se që po shkon por me rëndësi është se ka përmirësime në të gjitha fushat dhe do të përmbyllet edhe kjo sfidë”, ka thënë ai.

Mustafa tha se ka spekulime për shkaktarët mirëpo nuk ka ndonjë konkludim të saktë se çka e solli një infektim të tillë.


Mustafa tregon se LDK-ja nuk ia pranoi dorëheqjen

(21:39) - Isa Mustafa do të vazhdojë të jetë kryetar i Lidhjes Demokratike deri në kohën e zgjedhjeve të rregullta brenda partisë.

Ai për Rubikon të KTV-së bëri të ditur se kishte ofruar dorëheqjen duke qenë se nuk ishte në gjendje të mbaj kryesinë e të dalë në terren.

“U kam ofruar në qoftë se është vlerësim i tyre që edhe kjo të ndodh, nuk kam parë gatishmëri. Jemi marrë vesh kështu për një ndarje të brendshme të punëve”, ka thënë ai.

Mustafa ka kërkuar që Agim Veliu të koordinoi kryesinë e LDK-së, Lutfi Haziri të mbaj kontaktet me partitë e tjera të jashtme dhe Haki Rugova e Ismet Beqiri të mbajnë kontaktet me degët.


Mustafa shpjegon në detaje rastin e 53 milionëve dhënë “Bechtel Enka-s”

(21:18) - “Jo 53 milionë po as 14 milionë e gjysmë nuk do t’ia kishim dhënë deri më 20 janar të këtij viti, pra deri sa të përfundojë afati kontratës dhe të hyjmë në afatin e penaltive”, u shpreh Isa Mustafa për paratë e ndara nga Qeveria e Kosovës për Konsorciumin “Bechtel Enka”, në emër të shpenzimeve shtesë që ky operator ekonomik pretendon se i ka bërë gjatë ndërtimit të autostradës për Shkup.

“Rreth 15 milionë kanë thënë se do t’i kërkojnë që ato të paguhen si kompensim i vonesave por ne u kemi thënë që për ato do të marrim vendim kur futemi në afatin e penaltive. Afati i penaltive do të fillonte me 20 janar të këtij viti, 2018. Në vitin 2017 nuk e kemi pasur mendjen t’u paguajmë asnjë cent sepse nuk kemi pas të drejtë të paragjykojmë mos aftësinë tonë për t’i paguar ‘Bechtel Enke-s’”.

“Po ashtu i kemi informuar se nëse organet mbikëqyrëse konstatojnë se në ju kemi borxh, ne do ta bëjmë këtë përmes kontratës. Me kontratë ka qenë e paraparë se për çdo muaj vonesë do të paguajmë shumën prej 1 milion euro”, shtoi Mustafa.


Mustafa: Kjo Qeveri do ta sjellë Kosovën në bankrot, LDK do të bëjë mocion

(21:00) - Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria Haradinaj duke mos pasur asnjë konsideratë ndaj parasë publike, do ta sjellë Kosovën para bankrotit.

Mustafa bëri të ditur se zgjedhjet e lira janë e vetmja zgjidhje për vendin.

Ai bëri të ditur se Lidhja Demokratike si partia më e madhe opozitare në Kuvend do të marrë iniciativën për mocion të mosbesimit.

“Këtë situatë mund ta shpëtojnë vetëm zgjedhjet e lira ku do të zotohemi që pas tyre do të arrijmë një marrëveshje të gjerë duke kyçur edhe shoqërinë civile, subjekte të rëndësishme shkencore, biznesore sepse kjo nuk është pronë e askujt por duhet të kemi parasysh se përfaqëson interesa mjaft divergjente”, ka thënë Mustafa.

Ai bëri thirrje që mos të lidhen proceset me mandatet e institucioneve të Bashkimit Evropian apo individëve në BE sepse sipas Mustafës, ajo dëmton vendin.

“Iniciativën për mocion do ta marrë partia më e madhe opozitare në Kuvend dhe ajo është LDK-ja. Ne jemi edhe në këto aktivitete, biseda dhe do të dalim publikisht kur të arrijmë të kemi besimin se do të kemi sukses në atë. Do të bisedojmë edhe me subjektet që janë në pozitë sepse unë mendoj se nuk është në interes të Kosovës që të qeveriset në këtë mënyrë”, ka thënë ai.


Mustafa thotë se deputetë të LDK-së u bënë bashkë me Veselin për ta rrëzuar

(20:40) Procesi i vonuar i demarkimit të kufirit më Malin e Zi bëri që Kosova të mos gëzojë liberalizimin e vizave, ndonëse, siç thotë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në fund të vitit 2016, vendi kishte arritur të përmbushë të gjitha kushtet, përfshirë edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ai përmendi vitin 2016 kur po qëndronte në Shtetet e Bashkuara në kohën e mbajtjes së asamblesë vjeshtore të OKB-së ku tha se kishte pasur lutje prej përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisionerit për migracion, Dimitris Avramopoulos dhe atij për zgjerim, Johannes Hahn që të votohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

“I kam takuar atje dhe thanë votojeni se për dy muaj ne do t’i marrim të gjithë hapat që Kosova t’i ketë vizat e liberalizuara”, u shpreh Mustafa.

Mirëpo vonesa me marrëveshjen e demarkacionit rrëzoi edhe qeverinë Mustafa, për çka ai thotë se deputetë të partisë që ai drejton u bën bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Fillimisht, tha Mustafa, thoshin se janë humbur tetë mijë hektar mirëpo më vonë u ndërruan qëndrimet.

“Në qoftë se ata kanë bërë diçka është që e kanë çu LDK-në në opozitë, vetë deputetët e LDK-së me Kadri Veselin”, ka thënë ai.

“Në qoftë se dikush ka qenë i bindur se bashkë po i humbin tetë mijë hektarë atëherë pse kur është një kryeministër je i bindur që po i humb, kur vjen një tjetër je i bindur që s’po i humb, e është e njëjta marrëveshje mirëpo me rëndësi është që ajo është përmbyll”, ka thënë Mustafa.

Një qëndrim të tillë, ai tha se nuk e ka diskutuar dhe nuk do ta diskutojë meqë secili duhet të mbaj përgjegjësi individuale.


Mustafa – Thaçit: Luftë kërkon ai që dëshiron të marrë territor të një shteti tjetër

(20:33) Në intervistën ekskluzive dhënë për Rubikon të KTV-së, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, iu kundërpërgjigj edhe deklaratës së presidentit Hashim Thaçi se Mustafa e Albin Kurti po bëjnë thirrje për luftë.

“Thaçi e ka një zor sepse nuk është fare racional kur e thotë këtë. Unë pres që presidenti i vendit të jetë shumë racional në vlerësime edhe në adresimet e tij. Serbisë i shpallë luftë ai që dëshiron t’ia marrë një pjesë të territorit. As unë e as Albin Kurti s’po themi se do t’i marrim Serbisë një pjesë të territorit. Ne po themi se as nuk do t’i japim e as t’i marrim”, u përgjigj Mustafa.

“Në qoftë se dikush ka hy në pazar që të jap një pjesë të territorit është çështje e tij nuk është çështje as e imja as e Albin Kurtit”, shtoi tutje ai.

Javës që shkoi, presidenti Hashim Thaçi ka kritikuar opozitën duke thënë se po duan të nisin luftë me Serbinë, duke i quajtur zëra joperëndimorë ata që thonë se po kërkohet shkëmbim territoresh dhe korrigjim kufijsh.


Mustafa: S’mund të presim që Serbia s’e ka njohur Kosovën sepse do t’ia japë edhe Luginën

Qesharake, absurde dhe nënçmim e ka konsideruar, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, idenë se Serbia mund t’i japë Kosovës Luginën e Preshevës pa asgjë në këmbim.

Në paraqitjen e parë televizive, pas nëntë muajsh, Mustafa në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së, theksoi se LDK-ja do ta kundërshtojë çfarëdo marrëveshje që përfshin shkëmbim të territoreve.

“S’mund të presim ne se Serbia s’e ka njohur Kosovën sepse dëshiron që Kosovës t’ia japë edhe Luginën e Preshevës”, ka thënë ai. “Assesi ta bosnjëzojmë Kosovën dhe ta shndërrojmë sistemin kushtetues të Kosovës në sistem asimetrik i cili pastaj nuk funksionon”.

Lidhja Demokratike do ta kundërshtojë çdo opsion i cili nënkupton shkëmbim të territoreve mirëpo, theksoi Mustafa, kjo nuk do të thotë që ata nuk do të vazhdojnë të interesohen për jetën dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Mustafa përmendi se një marrëveshje e tillë nuk përbën rrezik vetëm për Kosovën po për të gjithë rajonin duke përfshirë Maqedoninë e pjesën e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Iniciativa jonë së bashku me Vetëvendosjen e PSD-në që të kërkojmë nga Kuvendi që t’ia ndalojë çdo kujt që të diskutojë apo shtrojë si temë të dialogut çështjen e kufijve lind nga kjo sepse konsiderojmë që është një hap shumë i rrezikshëm. Edhe unë kam qenë kryeministër po kurrë nuk është shtruar në tavolinë çështja e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve”, deklaroi Mustafa.

Kujtojmë se presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq kanë sugjeruar që një korrigjim i kufijve mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do të hapë rrugën për një zgjidhje përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përsëritur përmes një postimi në Facebook se përkrah bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si pjesë të territorit të Kosovës. Por që krahas kësaj, Thaçi ka theksuar se mbështet edhe njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi pritet që të zhvillojë takimin e radhës me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.