Arbëri

Ahmeti i përgjigjet Veselit: Dhunë është shmangia e seancave

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që e quajti absurd thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga opozita, për dialogun me Serbinë.

Veseli deklaroi se opozita me nismën për seancë të jashtëzakonshme po bën panik dhe po gënjen e dezinformon qytetarët e Kosovës. Sipas tij, veprimet e opozitës janë të rrezikshme për vendin dhe kanë për qëllim të nxisin tensione e më pas protesta të dhunshme.

Në përgjigjen e tij, Ahmeti ka thënë se dhuna dhe destabiliteti i vërtetë janë “shmangia e seancave në emër të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”.

“Kadri Veseli e paska quajtur veprim absurd dhe të panevojshëm thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit nga opozita, për dialogun me Serbinë. Kush? Kryetari i Kuvendit. Ku? Në një republikë parlamentare. Kur? Kur Presidenti i vendit (e miku i tij) Hashim Thaçi angazhohet për "korrigjim të kufirit" me një shtet që nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë, të cilat i paska përmendur Kadri Veseli. Institucionet e shtetit dhe Kushtetuta e Republikës të cilat i paska përmendur Kadri Veseli nuk janë diktakti i pushtetit dhe shpërfillja e opozitës shumicë në Kuvend”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas Ahmetit, është dhunë e sistemit dhe kërcënim për rendin kushtetues e ligjor kur kryeparlamentari “kërcënon dhe frikëson opozitën për shkak të ftesës së një seance parlamentare nga opozita”.

“Vështirë të ketë mendësi më antidemokratike se sa ta kundërshtosh politikisht idenë e zhvillimit të një seance parlamentare! Seanca parlamentare është vetë parimi themelor i shtetit demokratik! Ai parlament përbëhet nga të zgjedhurit e popullit në zgjedhje të lira. Dhunë e sistemit dhe kërcënim për rendin kushtetues e ligjor është kur kryetari i një Kuvendi kërcënon dhe frikëson opinionin për shkak të ftesës së një seance parlamentare nga opozita. Kur Presidenti shpërfill Kuvendin sidomos para se të filloi negociatat rreth integritetit territorial, me shtetin që nuk ta njeh shtetësinë”, ka shtuar Ahmeti.

Kryetari i PSD-së ka shtuar se “në vend të kërcënime të maskuara me leksione mbi demokracinë, Kadri Veseli le ta ftojë seancën. E ka detyrë ligjore, nëse jo vullnet politik”.

Ahmeti është zotuar se opozita është e interesuar më shumë se kurrë për të debatuar dhe për të marrë përgjegjës për dialogun.

“Po! Jemi më të interesuar se kurrë për të debatuar dhe për të marrë përgjegjësi për dialogun. Për legjitimitetin, përfaqësimin, platformën dhe mbikëqyrjen e tij. Në Kuvend, tek përfaqësuesit e popullit. Me shumicë të kualifikuar! Sepse nuk mund të ketë dialog me Serbinë pa opozitën. Për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar në fund ai.