Arbëri

“Pa i hequr politika duart nga ‘Trepça’, ndërmarrja s’mund t’i shpëtojë falimentimit”

Nga nëntëmijë tonë me xehe, sa ishte planifikuar të nxjerrin minatorët e Trepçës, këtë muaj ata kanë arritën t’i sigurojnë vetëm shtatëmijë.

E, pikërisht ulja e prodhimit të xehes rrezikon punëtorët e saj që të mbesin pa paga, raporton KTV.

Kjo pasi që muajin e kaluar me mjaft vështirësi menaxhmenti kishte arritur t’i paguante punëtorët.

Sindikata gjendjen aktuale e sheh si alarmante, derisa thotë se keqpërdorimet, nepotizmi, korrupsioni dhe emërimet politike në borde e kanë sjellë buzë falimentimit Trepçën.

Shyqri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Trepçës, deklaron se pa i hequr politika duart nga “Trepça”, ndërmarrje kjo që është pasuri e Kosovës, nuk do t’i shpëtojë falimentimit.

Sipas tij, ka punëtorë që janë në marrëdhënie pune dhe paguhen, por me muaj të tërë nuk shkojnë fare në punë.

Se ka më pak prodhim të Trepçës muajt e fundit e pranon edhe ushtruesi i detyrës së menaxherit, Miftar Hyseni, por që, sipas tij, ndërmarrja nuk është në një gjendje aq të keqe sa po paraqitet nga individë të caktuar.

Ai thotë se punëtorët do t’i marrin pagat e tyre.

Miftar Hyseni, u.d i menaxherit të Trepçës, thotë se në uljen e prodhimit ka ndikuar edhe numri i vogël i punëtorëve.

Sipas tij, në vitin 2013, Trepça ka pasur 1520 minatorë, ndërkaq tani i ka vetëm 1300.

Shumica prej tyre, siç thotë Hyseni, janë të moshës 60-vjeçare, dhe nuk mund të tregojnë performancë të mirë në punë.

Veç kësaj, as miratimi i Ligjit për Trepçën nuk i ka ndihmuar aspak ndërmarrjes, sepse ende nuk është miratuar draft-statuti i saj, meqë i njëjti është kundërshtuar nga sindikata dhe deputetët.

Kundërshtimet e kanë kthyer statutin e hartuar nga Ministria në pikën zero.