Arbëri

Kaçaniku proteston kundër dhunës dhe vrasjes së grave

Sot në Kaçanik është mbajtur protesta “Boll Ma” si reagim ndaj dhunës dhe vrasjes së grave, nga aktivistë për të drejtat e njeriut.

Nën thirrjet “Boll Ma”, “Duam drejtësi”, Poshtë patriarkati”, “Unë jam njeri”, etj., protesta ka filluar në Parkun e Qytetit të kësaj komune, pastaj ka vazhduar drejt Gjykatës, Policisë dhe ka përfunduar te objekti i Komunës.

Pos thirrjeve për drejtësi dhe parandalim të dhunës, protestuesit kanë kërkuar edhe shkarkimin e presidentit Thaçi dhe kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, përmes thirrjeve “Çonu me protestu, Hashim Hajnin me shkarku” dhe “O Lumez o faqezi, pa shku ti nuk ka drejtësi”.

Edhe këtë here, protestuesit kanë kërkuar shkarkim të policëve, komandantit dhe prokurorit të Gjakovës, për rastin e vrasjes në fshatin Brekoc, ku dyshohet se Pjetër Ndrecaj vrau bashkëshorten Valbona Ndrecaj dhe vajzën e tyre.

Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, ka treguar se përmes kësaj proteste po kërkojnë drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallime.

“Kemi ardhë këtu se jemi të indinjum që mas 20 vitesh liri, na nuk jemi të lirë. Gratë nuk janë të lira, burrat nuk janë të lirë, qytetarët nuk janë të lirë. Kemi luftu për një liri, kanë dhanë jetën shumë dëshmorë, shumë njerëz, edhe na jemi të kapun. Prej kujt? Prej njerëzve tanë e para, prej drejtësisë, një drejtësi që bënë selektim në bazë të statusit social, në bazë të gjinisë, në bazë të etnisë, e.t.j”, ka thënë Aliu, raporton Kosovapress.

Dituri Neziraj, aktiviste për të drejtat e njeriut, tha se mospërgjigja e policisë ndaj thirrjeve për ndihmë, është dhunë institucionale.

“Jemi këtu me kërku që lëndët në gjykatat tona mbi dhunën në familje, të shqyrtohen seriozisht, dhe dhunuesit të dënohen seriozisht. Këto çështje nuk janë çështje në radhën e gjërave jo parësore. Gruaja është shtylla e një familjeje. Nëse ti si drejtësi nuk i jep rëndësi trajtimit të saj, ke shkatërruar një familje”, ka thënë Neziraj.

Kurse aktivistja Ilire Rakaj ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë trajtim të barabartë dhe duan t’i thonë bollë më dhunës ndaj grave, kudo qofshin ato.

Ajo ka thënë se kauzën për drejtësi duhet ta fitojnë bashkë të dy gjinitë.

“Kosova s’ka femra për të humbur, edhe sa thirrje të humbura, edhe sa dosje të pluhurosura, edhe sa emra duhet të shtohen në listën e vrasjeve të grave, por edhe fëmijëve, apo vetëm duhet të trishtohemi tri ditë para lajmeve mediatike dhe më pas në heshtje të presim se cilës nga ne po i vie radha.....Kjo nuk është betejë e shpallur mes dy gjinive, është thirrje për ta, është betejë që duhet ta fitojmë bashkë”, ka thënë Rakaj.

Protesta është përcjellë edhe me interpretimin e dy poezive “Boll ma” nga Edmond Dema dhe “Unë jam ajo” nga Altina Gjini.

Organizatorët kanë thënë se nuk do të ndalen dhe se kanë njoftuar se do të vazhdojnë me protesta të tjera deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.