Arbëri

Limaj në Shkup në kujtim të Ismet Jasharit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar në Shkup, kushtuar 20 vjetorit të rënies së heroit Ismet Jashari -komandant Kumanova.

Më këtë rast, Limaj ka thënë se 20 vite me parë kombi shqiptar ishte në një udhëkryq kritik, në një moment ku do të përcaktonte rrënimin përfundimtar apo ringjalljen.

Më tutje, Limaj ka thënë se kushtrimi i Komandantit legjendar, Adem Jashari u lëshua në çdo cep ku jetonin shqiptarët dhe kjo ndodhi edhe në Maqedoni, transmeton kp.

Kombi shqiptarë, sipas Limajt nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sa është sot. Megjithatë, ai ka thënë se i takon atyre të punojnë për ta forcuar pozicionin e shqiptarëve në rajon.

Gara për të dominuar dhe sunduar të tjerët, Limaj thotë se është garë e humbur. Me shqiptarët mund të bashkëjetohet, por, sipas tij, askush nuk mund t’i dominojë dhe sundojë.

“Emri i Kumanovës nuk ka qenë i rastësishëm, kemi dashur të tregojmë që në luftën e Kosovës po marrin pjesë të gjitha trevet ku janë shqiptarët. Kosova është e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Ne që kemi kaluar në atë kohe e dimë mirë çka kanë bërë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni e në Luginë të Preshevës edhe në kohën kur në Kosovë kishte dilema se a ka apo s’ka UÇK”, ka theksuar Limaj.