Arbëri

Thaçi vazhdon të flasë për korrigjim kufijsh, diçka që dikur e kundërshtonte fuqishëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në Austri, gjegjësisht në Alpbach, ku po merr pjesë në forumin evropian e në të cilin pjesëmarrës janë liderë evropianë sikurse edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Nga atje, Thaçi tha se rajoni dhe BE-ja nuk duhet të frikësohen nga “një marrëveshje potenciale paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë mund të nënkuptojë korrigjimin e kufijve”.

“I siguroj të gjithë se një marrëveshje e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë nën këtë skenar nuk do të jetë përgjatë vijave etnike. Kosova do të mbetet një shoqëri shumetnike dhe do të vazhdojë të ruajë standardet më të larta në kuptim të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve. Sepse, paqja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellë, do të ketë reflektime pozitive për mbarë rajonin dhe më gjerë”, tha Thaçi në Alpbach, raporton Koha.net.

Mirëpo, më 2010, kur Thaçi ishte kryeministër i Kosovës, në një intervistë dhënë agjencisë serbe të lajmeve “Beta”, thoshte krejtësisht të kundërtën.

“Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do ta hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe prandaj, ka thënë z. Thaçi, askush nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje”, shkruan në hyrje të intervistës.

“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe në BE”, thoshte Thaçi, që asokohe ishte kryeministër i Kosovës.

“Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës. Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të të dyja vendeve”, theksonte Thaçi në intervistën e 6 marsit të vitit 2010.

Ditë më parë, Thaçi solli para opinionit një intervistë të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhënë në vitin 1994 në gazetën “Zëri”, e në të cilën ai fliste për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervistën e Thaçit thënë “Beta-s” mund ta gjeni në KËTË LINK.