Arbëri

Ahmeti: S’mund të kërkojmë rrëzimin e Qeverisë nga pushimi

Po bëhen gati tri javë prej kërkesës së Partisë Socialdemokrate për seancë të jashtëzakonshme për gjendjen aktuale, por iniciativa e tyre ka mbetur vetëm në letër.

As LDK-ja e as Vetëvendosje nuk iu përgjigjën kësaj iniciative, por kreu i PSD-së këtë nuk e quan dështim të PSD-së, por të keqe për Kosovën, raporton KTV.

Shpend Ahmeti ka thënë se nuk mund të kërkosh ta rrëzosh qeverinë pa asnjë iniciativë.

Por, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar ndërhyrje për të parandaluar sipas tij “zajednicën” e Thaçit me Vuçiqin.

Artan Murati nga KDI-ja ka thënë se do të ishte mirë që grupet parlamentare të pajtoheshin sa më shpejt për nxjerrjen e një rezolute dhe të mandatonin ekipin që do të udhëhiqte fazën finale të dialogut.

Meqë deputetët nuk prishën pushimet në gusht, Murati pret të paktën ata të marrin punën seriozisht kur të kthehen në shtator.

Që nga data 7 gusht zyrtarisht PSD-ja përmes një shkrese i kishte kërkuar nënshkrimet e dy partive opozitare LDK-së e VV-së për seancë të jashtëzakonshme e kjo u bë pas refuzimit që i bëri kërkesës së 12 deputetëve kreu i Kuvendit Kadri Veseli.

Kuvendi nuk mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme pa pasur 40 nënshkrime të deputetëve.