Arbëri

Kosovës i dolën 17 fish më shumë veteranë të UÇK-së nga Shqipëria

17 fish më i madh ka dalë numri i veteranëve të UÇK-së nga Shqipëria, se sa vërtet kishin marrë pjesë në luftë.

Nga 176, sa mendohej se ishin fillimisht, numri ka përfunduar në 3000 veteranë, e për një gjë të tillë dëshmon edhe komandanti i operacionit “Shigjeta”, Spiro Butka, raporton KTV.

Butka drejton Shoqatën e veteranëve të UÇK-së në Tiranë dhe i ka dëshmuar prokurorit Blakaj për mijëra veteranë të rremë.

Pjesë e shkëputur nga aktakuza e ish-Prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj

Butka është një prej dëshmitarëve në aktakuzën e ish-prokurorit Blakaj ngritur ndaj 12 anëtarëve të komisionit qeveritar për njohje dhe verifikim të statusit të veteranit.

Përveç tij, janë edhe 5 persona që dëshmojnë për rritjen enorme të numrit të veteranëve, përfshirë Sami Lushtakun, ish-komandant i Zonës së Drenicës.

Blakaj aktakuzën e tij e kishte ngritur kundër 12 personave, ndër ta ish-komandantë të UÇK-së e zyrtarë të tjerë si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj e Shukri Buja.

Kurse, Nuredin Lushtaku ka shkruar në Facebook rreth përfshirjes së tij në këtë aktakuzë, duke e quajtur atë manipulim.

Lushtaku ka treguar se ai nuk e ka nënshkruar listën e të ashtuquajturës “Brigada Hasan Prishtina”, sepse ka thënë se nuk ka qenë në vijën komanduese të Zonës Operative të Drenicës.

Sipas aktakuzës, mbi 19 mijë persona kanë përfituar statusin e veteranit, pa qenë fare pjesëmarrës në luftë, që në vit i kushtojnë buxhetit mbi 38 milionë euro.

Aktakuza e ish-prokurorit Blakaj, për më shumë se 1 muaj, mbetet në Prokurorinë Speciale, ndërsa Blakaj, në fillim të kësaj jave, dha dorëheqje nga ky institucion.