Arbëri

Bogujevci: Policia ka duart e përgjakura për mosintervenim, duhen mekanizma për mbrojtje të viktimave

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci në Interaktiv të KTV-së ka folur rreth protestës së sotme të kësaj partie para stacionit policor në Prishtinë.

Me këtë rast ishte arrestuar Bogujevci, dhe shtatë aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët janë në mbajtje për 48 orë.

Bogujevci ka thënë se është shumë shqetësues numri i viktimave të dhunës në familje.

“Arrestimi për mua është i parëndësishëm, karshi temës për çka jemi dalë në protestë. Është shqetësim i madh numri i madh i vrasjeve, keqtrajtimi i grave, fëmijëve, sidomos rasti i fundit në Gjakovë. Institucionet duhet të marrin përgjegjësi. Nëse s’kanë kapacitete duhet që këtë me marrë me seriozitet. Po shpresoj se rastet e fundit vërtetë do të jenë të fundit dhe përnjëmend do të punohet në këtë drejtim. Është e pamjaftueshme që të bëhen ligjet nëse ato nuk zbatohen. Duhet të punohet shumë në vetëdijesimin e popullsisë, por duhet të bëhen mekanizma për mbrojtjen e viktimave”, ka thën deputetja e Vetëvendosjes.

Ajo ka akuzuar Policinë për mos intervenim në këto raste të dhunës, ndërsa kërkon që institucionet të jenë më aktive.

“Simbolika e ngjyrës ka qenë që edhe policia i kanë duart e përgjakura, për mos intervenimin me kohë, nuk është mbrojtur viktima, përkundër që ajo kishte lajmëruar në polici. Policia duhet të marrë përgjegjësi e jo të arsyetohet. Nëse nuk kanë mekanizma duhet të jenë të sinqertë në mënyrë që të bëhet zgjidhje. Në rastin e Valbonës Policia është dashur të jetë afër tyre, të kishte një patrullë. Ndoshta ato do të ishin gjallë nëse Policia do të ishte me to. Çka duhet më tepër se kur viktima njofton Policinë për rastin e tyre. Mendoj që inspektorati, ose nuk e ka kryer punën si duhet ose nuk kanë qenë të interesuar të nxjerrin përgjegjësit. Të gjitha institucionet duhet të jenë aktivë dhe të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë Bogujevci.

Bogujevci insiston se ngjyra është hedhur në drejtim të objektit, e jo në drejtim të policisë.

“Shihet edhe nga pamjet. Nëse Policia deklaron se është lënduar, kjo është për shkak të mënyrës së tyre të dhunshme gjatë intervenimit. Nuk kam rezistuar gjatë arrestimit. Kam kërkuar të di se përse po më arrestojnë, ata me forcë më kanë futur në stacion, deri në një moment kur më kanë kapur edhe për fyti. Nuk e kam kuptuar mënyrën e arrestimit. Por, kjo është e parëndësishme, karshi temës, për të cilën duhet të protestojmë e diskutojmë për çdo ditë. Më kanë mbajtur disa orë, dhe rreth asaj se çka ka ndodhë. Aksioni ka qenë për vetëdijesim, por edhe Policia të marrë përgjegjësi për mospunën dhe neglizhencën e tyre ndaj qytetarëve të vet”, është shprehur ajo.

Ajo thotë se kulmi ka qenë në secilin rast, e jo vetëm me rastin në Gjakovë, kur ishin vrarë nënë e bijë.

“Duhet të shihet edhe çka po ndodh me shoqërinë tonë, që është rrit dhuna në familje, dhe për këtë duhet të ngremë zërin për çdo ditë. Duhet të ndërtohen mekanizma që ato kanë besim. Mendoj se shumica e rasteve të mos raportimit është për shkak të mosbesimit në institucione. Përveç dhunës fizike, ka edhe dhunë psikike, dhe për këtë nuk flitet aspak. Besoj se nuk ka besim te institucionet për raportim të dhunës. Përkundër rritjes së numrit të raportimeve, megjithatë mendoj se numri i mos raportimeve është shumë i vogël”, ka thënë Bogujevci.

Ajo shton se dorasit gjejnë çfarëdo mënyrë për të ulur dënimin, si ati psikike, siç është në rastin e fundit.

“Mendoj se në këto raste gjejmë çfarëdo mënyrë për të mos vuajtur dënimin për krimin që e kanë bërë dorasit. Por duhet të kemi mekanizma për të parë nëse ka probleme psikike apo jo. Nuk është kjo çështje vetëm e grave, kjo i përket shoqërisë tonë, dhe duhet të jemi të bashkuar për të ngritur zërin për raportim të dhunës në familje. Ne si qytetarë e kemi për obligim ta raportojmë se rast. Mendoj se është përgjegjësi e të gjithëve si shoqëri. Kam jetuar një kohë të gjatë në Angli, jam rrit atje. Ka pasur gjithherë raste kur është raportuar dhuna, çoftë nëse ka ndodhur në familje, ose nëse ka qenë diskriminim dhe ka pasur qytetarë që kanë pasur guximin të raportojnë”, thotë ajo.

Ajo shton se, “nëse t’i e raporton rastin, për mua është e papranueshme kur Policia e bën të ditur se kush e ka raportuar. Atëherë kur e ke besimin, dhe sigurinë se ai person nuk do të sulmojë ty. Duhet të punohet shumë në këtë drejtim. Si deputetë e kemi për obligim edhe vetëdijesimin përmes fushatave të ndryshme”.