Arbëri

ARKEP-i kërkon nga Ipko kompensimin e konsumatorëve

Descriptive Text

Sërish shërbimet e Kompanisë së telekomunikacionit Ipko nuk po funksionojnë si duhet. Kjo gjendje është që disa ditë, me disa përmirësime dhe sërish pa ofrim shërbimesh. Për këtë, kompania duhet të kompensojë konsumatorët e saj, e zyrtarët e kompanisë as që janë në dije si duhet bërë kompensimin.

Vështirësi në komunikim në rrjetin mobil dhe fiks, në shërbime kabllore e edhe në internet kanë pasur ditëve të fundit klientët e Ipko-s.

Gjendja përmirësohet disa orë e disa të tjera sërish vështirësi.

Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë për KosovaPress se sot problemet kanë qenë të nivelit lokal, ndërsa tri ditë më parë kanë qenë të nivelit kombëtar nga disa pengesa teknike, duke mos treguar saktë se çfarë ka ndodhur.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Edona Zogu, thotë për KosovaPress se për kompensimin e konsumatorëve ende nuk është shqyrtuar se kush sa është dëmtuar, dhe sipas saj, do të merret vendimi në bazë të ligjit në fuqi të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Ajo pretendon se nuk ka qenë kohë e gjatë e ndërprerjeve të shërbimeve.

Zogu thotë se në rregulloren e ARKEP, me sa janë të njoftuar, kompensimi duhet të ndodhë vetëm nëse problemet kanë zgjatur më shumë se 24 orë.

“Ka pasur telashe me disa abonues, por nuk ka qenë problemi me krejt përdoruesit e shërbimit të IPKO-së, pra, jo i natyrës sikur para tri ditëve. Këso lloj probleme mundet me pasur secili operator në baza ditore. Andaj të vetmin problem, siç ka qenë interneti, i cili ka zgjatur për pak minuta dhe gjithçka është rikthyer në rregull. Ka qenë një numër i vogël i klientëve që janë prekur prej telasheve me këto shërbime”, thotë ajo.

Ndërsa, Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kërkon nga Ipko kompensimin e konsumatorëve dhe të mos përsëriten problemet me shërbime, sepse mund të ndërmerren masa ndaj operatorit.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi thotë për KP se sot gjatë ditës Ipko ka dërguar raportin me arsyetim për ndërprerjen e shërbimeve, ku është raportuar për pengesën teknike, por jo edhe për natyrën e saj.

Ai thotë se në bazë të Rregullores për kontratën, ARKEP ka kërkuar automatikisht që Ipko të kompensojë të gjithë klientët për humbjet që u janë shkaktuar, sepse operatori në fjalë është i obliguar me ligj që t’i kompensoj konsumatorët për ndalesat apo problemet që janë shfaqur ditë të fundit, pa marrë parasysh se ka zgjatur.

“Operatori IPKO, ka raportuar për disa pengesa teknike, ndërsa ne si rregullator vlerësojmë se pengesat teknike janë të mundshme. (Ipko) Kanë konfirmuar se konsumatorët kanë me u rimbursuar ose kompensuar për kohën e dëmit që është shkaktuar. Nëse nuk do të ndodhë kompensimi, ne si ARKEP do të reagojmë ndaj këtij operatori. Çdo ndërprerje ose që ndalet komplet sinjali do të kompensohet për kohën sa ka zgjatur ajo ndalesë nga kompania”, thotë Gashi, duke shtuar se këto probleme me ndalim të sinjalit janë të mundshme, por nëse përsëriten shpesh do të ndërmerren masa ndaj operatorit.