Arbëri

Çfarë premtojnë investitorët turq në sektorin minerar të Kosovës

Kompania turke ESAN tashmë mbi 5 vite ndodhet në Kosovë dhe pas hulumtimeve në sektorin minerar po shpreh interesim për investime të mëdha. Për këtë qëllim, është mbajtur takimi ndër-institucional me kompaninë në fjalë, ku kanë marrë pjesë ministrat që merren me çështje ekonomike e ambientaliste si dhe kryetarë të komunave ku synohet të investohet. Ky në fakt ishte takimi i parë i këtij niveli pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike në shkurt të këtij viti.

Drejtoresha e kompanisë ESAN, Serpil Demirel, tha se investimet dhe hapja e vendeve të punës varen nga sasia e xeheve.

“Varësisht nga sasia e xeheve që do të gjenden pas kërkimeve, investimet tona mund të shkojnë nga 10-tra deri në mbi 100 milionë euro si dhe do të krijohen vende pune nga qindra deri në për mbi 1000 punëtorë”, tha Demirel.

Ministrat prezentë mirëpritën interesimin e kompanisë, përderisa ministrja e Tregtisë e Industrisë Hikmete Bajrami, duke potencuar se projekti duket shumë ambicioz, njoftoi për kushtet e kualifikimit si investitor strategjik.

“Ligji ka disa kritere të cilat do të thosha janë mjaft strikte. P.sh. që nga marrja e statusit të investitorit strategjik deri në fillimin e investimit kompania ka afat vetëm 6 muaj. D.m.th. që nga marrja e statusit deri në fillim të investimit janë vetëm 6 muaj kohë. Kështu që besoj se për kompaninë absolutisht nuk është në interes që në këtë fazë ku ende s’ka filluar edhe nuk e ka licencën e eksplorimit ta marrë statusin e investitorit strategjik sepse e pamë që ju nevojiten thuajse 18 muaj për t’i kryer të gjitha eksplorimet”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja Bajrami theksoi se minimumi i investimeve për t’u kualifikuar si investitor strategjik është 30 milionë euro në sektorin e minierave dhe mineraleve. Drejtoresha Demirel, duke u pajtuar me ministren Bajrami, tha se do të vazhdojnë me periudhën e hulumtimeve dhe ndërkohë kur të jenë të gatshëm për studim të fizibilitetit, ajo u shpreh e sigurt se Esan do të jetë ndër investitorët më të mirë në Kosovë.

Çka ka gjetur Esan në Kosovë?

Drejtori për hulumtime në ESAN, Ali Can Akpinar duke prezantuar aktivitetet e kompanisë përgjatë pesë viteve në Kosovë, ka theksuar se këtu kanë parë potencial, prandaj kanë kryer hapin e parë që ka qenë eksplorimi.

“Në vitin 2015 dhe 2016 ne kemi bërë shpime diku 8 mijë metra në Bellaqicë. Në këtë periudhë pesëvjeçare ne kemi shpenzuar 5 milionë euro. Në hapin tjetër ne kemi marrë harta dhe në kemi parë potencial për plumb dhe zink në tri zona me interes siç janë: Karaqa e Gumnishta (Vushtri) dhe Bresalci (Gjilan)”, tha Akpinar.

Sipas tij, në zonën e Gumnishtës kanë parë potencial për plumb, zink dhe argjend ndërsa në Bresalc kanë hasur potencial për ari dhe plumb.

Nismat për investime në këto zona i kanë mirëpritur edhe drejtuesit e komunave ku gjendet këto resurse, siç janë Vushtrria dhe Gjilani.