Divjaka “pushtohet” nga turistët, mbi 50 mijë pushues në dy ditë

Divjaka “pushtohet” nga turistët, mbi 50 mijë pushues në dy ditë

15 gusht 2018 19:59

Plazhet e Divjakës janë kthyer në një nga destinacionet e preferuara për pushuesit vendas dhe të huaj, ku në datat 14-15 të këtij muaji, në plazhin e këtij qyteti janë regjistruar 50 mijë pushues.

Të kënaqur nga pamja fantastike që të ofron “Parku i Karavastasë”, flora dhe fauna e pasur si dhe vija bregdetare mjaft e bukur, Divjaka mbetet një atraksion për pushuesit.

Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi bëri me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në datat 14-15 gusht në vijën bregdetare prej 2 km, kanë kaluar ditën mbi 50 mijë pushues.

“Kjo është e vërtetë, sepse janë 2 data që plazhet tona kanë një frekuentim të jashtëzakonshëm, pasi datat 14-15 gusht banorët e zonës i trajtojnë si ‘ditë të mira’, festa pagane të ngelura prej kohësh. Në këto festa, është e detyrueshme që çdo familjar të vijë dhe të futet në det, duke kryer aty një sërë ritesh, si hedhja e lekut me sheqer etj. Këtë vit ka pasur një dyndje të jashtëzakonshme turistësh. Ne kemi bërë kalkulimet tona, duke numëruar mjetet, autobusët si dhe duke parë dhe vijën bregdetare prej 2 km e cila ishte mbushur plot. Po, në këtë ditë ne kemi numëruar plot 50 mijë pushues”, ka thënë ai.

Frekuentimi në Divjakë është i jashtëzakonshëm, pasi këtu vijnë pushues nga qytete të ndryshme, si Lushnja, Elbasani, Berati, transmeton atsh.

Duke u ndalur te siguria në plazhe kreu i bashkisë Divjakë bën me dije për ATSH-në, se siguria në plazhe jo vetëm në këto dy ditë, por që nga hapja e sezonit turistik, ka qenë dhe është maksimale, falë bashkëpunimit mes autoriteteve të policisë dhe bashkisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme