Arbëri

Familjarët e Ibrahim Matoshit nuk e dinë pse u arrestua ai

Me dhjetëra herë ka kaluar në pikën e njëjtë kufitare, por Ibrahim Matoshi, për shtetin e Serbisë duket të ketë qenë i dyshuar vetëm të hënën e 13 gushtit.

Arrestimi i Matoshit, me profesion stomatolog nga Vërbica e Kmetovcit në Gjilan, ka befasuar familjarët e tij, raporton KTV.

Sipas vëllait të tij, Musliut, Ibrahim Matoshi nuk kishte pasur ndonjë problem me ligjin në Serbi apo në Gjermani, pasaportën e të cilit shtet e ka.

Matoshi ka bërë të ditur se tashmë kanë angazhuar një avokat për përfaqësimin e tij, dhe se është në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe autoritete të tjera, ndërsa pret që së shpejti të lirohet.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme këtë po e konsideron si një fushatë të orkestruar ndaj kosovarëve, ndërsa paralajmërojnë se mund të merren veprime të ngjashme nëse veprimet e tilla nuk ndalen.

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i MPJ-së, i ka thënë KTV-së se lidhur me situatën i kanë informuar me kohë autoritetet në Bruksel dhe akterë të tjerë relevant, reagimin e të cilëve janë duke e pritur.

Megjithatë, duket se MPJ-ja i ka duart e lidhura shkaku se ai kishte hequr dorë nga shtetësia kosovare, duke i kufizuar mundësitë e monitorimit të rastit.

Përveç arrestimit të Matoshit, së fundmi janë raportuar edhe disa raste kur kosovarët nuk janë lejuar të shkojnë në Serbi.