Arbëri

MPJ paralajmëron masa ligjore ndaj Serbisë nëse vazhdon ndalimin e kosovarëve

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka paralajmëruar masa ligjore nëse Serbia vazhdon me ndalimin e kosovarëve.

Në një reagim të fundit nga kjo ministri, thuhet se MPJ po i përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit të ndalesave të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet e Beogradit, “të cilët përpos që me arrogancën më të madhe po i shkelin parimet themelore të fqinjësisë, si dhe obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit, njëkohësisht përbëjnë shkelje të lirive dhe të drejtave fundamentale evropiane për lëvizje të lirë dhe për paprekshmërinë e dinjitetit human”.

Ky reagim vjen pas arrestimit të Ibrahim Matoshit, që ishte nisur drejt Gjermanisë, pasi kishte përfunduar pushimet në Kosovë.

“Më këtë lloj sjellje klandestine, me justifikimet nga më të ndryshme, qofshin ato të natyrës teknike apo procedurale, autoritetet e Beogradit edhe një herë, po dëshmojnë se vazhdojnë të funksionojnë sipas praktikave dhe mentalitetit Millosheviqian. Si të tilla, informacionet dhe justifikimet e ofruara deri tani nga autoritetet e Beogradit, nuk tregojnë asgjë, përveç se ushtrim i një fushate obstruktive ndaj qytetarëve dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

MPJ ka ritheksuar se Kosova refuzon këtë sjellje dhe do të shqyrtojë të gjitha veprimet ligjore dhe institucionale kundër kësaj sjelljeje. Kjo ministri thotë se e ka njoftuar Bashkimin Evropian për veprimet e Serbisë dhe nëse nuk ndërhyhet shpejtë ndaj Serbisë, MPJ do të veprojë sipas masave ligjore në dispozicion.

“Në linjë me këtë përkushtim, Ministria e Punëve të Jashtme tashmë i ka komunikuar institucioneve të Bashkimit Evropian, shqetësimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe se në rast se nuk ndërhyhet shpejtë në korrigjimin e Beogradit, nga ana e tyre, detyrohemi të veprojmë sipas masave ligjore në dispozicion”, theksohet në reagimin e MPJ-së. “Njëkohësisht, Ministria e Punëve të Jashtme është në proces të informimit me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me arrogancën e papërmbajtshme të Beogradit, duke e bërë të qartë se kjo nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe pengon rrugëtimin evropian të rajonit, për të cilin Beogradi në vazhdimësi shfaqet destruktiv”.