Arbëri

MPJ dënon arrestimin e kosovarit nga Serbia, kërkon nga kjo e fundit të distancohet nga praktikat e politikave të Millosheviqit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, ka konfirmuar sot në orët e pasdites edhe një rast tjetër të ndalimit dhe arrestimit të një bashkëkombësi, përderisa ai ka qenë duke kaluar nëpër territorin e Serbisë.

“Sipas informacioneve të para të siguruara nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së Neni 125 i ndërlidhur me Nenin 139 (i dyshuar për veprën penale për terrorizëm), aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës që nga periudha e Luftës. Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga shteti fqinj mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës “thërret fqinjin verior që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë shtetin fqinj si rrugë transiti”.

“Ministria e Punëve të Jashtme edhe njëherë thërret Bashkimin Evropian, shtetet e Kuintit dhe komunitetin ndërkombëtar që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të tij”, përfundon reagimin i MPJ-së.