Arbëri

Bizneset rrezikojnë mbylljen si pasojë e punimeve të Ministrisë në magjistrale Prishtinë-Gjilan

Punimet në magjistralen Prishtinë – Gjilan, që po i bën Ministria e Infrastrukturës, po rezultojnë me rrezikun e mbylljes së disa bizneseve private.

Kështu shprehet Ardian Gashi, qytetar që ka biznes në këtë pjesë. Ai thotë se po i pamundësohet qasja në pronën e tij, si pasojë e punimeve që po bën kompania “Agrotec”, si fituese e tenderit për këto punime, raporton KTV.

Punimet në këtë rrugë kanë filluar disa ditë më parë, ndërkaq, sipas Gashit, zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës i kanë thënë se duhet të bëjë ankesë në Gjykatë për shqetësimet e tij.

Ai shprehet i zhgënjyer, pasi që, sipas tij, shteti nuk do t’i dalë në ndihmë dhe tërë këtë po e bëjnë në bashkëpunim me kompanitë private për të përfituar materialisht nga tenderët.

KTV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës që nga java e kaluar për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.