Serbia me “listë të kuqe” për të ndaluar të gjithë shqiptarët nga Lugina që mbajnë poste në Kosovë

Serbia me “listë të kuqe” për të ndaluar të gjithë shqiptarët nga Lugina që mbajnë poste në Kosovë

12 gusht 2018 21:17

Nuk është vetëm Akademik Hivzi Islami që është ndaluar të hyjë në territorin e Serbisë. Siç duket Serbia po praktikon një masë të tillë edhe për qytetarë të tjerë që janë nga Lugina e Preshevës, e që në Kosovë punojnë si zyrtarë të lartë të institucioneve.

Xhemail Halili, drejtor i prokurimit në Kuvendin e Kosovës, thotë se një javë më parë ai nuk u lejua të shkonte në vendlindjen e tij në Preshevë, me arsyetimin se emri i tij është në një listë të autoritetet serbe që e quajnë të “kuqe”.

Ai thotë se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe dy kolegëve të tij të cilët janë nga Lugina e Preshevës, por që jetojnë në Prishtinë, dhe se nuk kanë marrë asnjë shpjegim deri më tani.

Nëse Bashkimi Evropian nuk ndërhynë për të obliguar Serbinë të respektojë marrëveshjet të cilat vet i ka nënshkruar, atëherë Kosova do të funksionojë mbi bazën e reciprocitetit. Kështu tha për televizionin publik Jetlir Zyberaj, këshilltari i zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Ndërsa për analistin Ymer Mushkolaj problemi qëndron te marrëveshja e nënshkruar me Serbinë, një marrëveshje që sipas tij nuk është në favor të Kosovës, sepse është dashur që në fillim të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Edhe pse e cilëson të vonshëm si proces, Mushkolaj thotë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do t`i kishte efektet e veta, dhe do t`i dërgonte mesazh Serbisë që nuk mund t`i trajtojë kështu qytetarët kosovarë.

Ndryshe dje, Akademik Hivzi Islamit, i lindur në Letovicë të Bujanocit, i është refuzuar dy herë shkuarja në vendlindje. Islamit nuk iu lejua të shkojë në Preshevë edhe më 8 gusht, ndërsa familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të - u lejuan. Policia kufitare në të dy rastet nuk ka dhënë ndonjë shpjegim.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme